Presidenti Ilir Meta, ka kthyer një tjetër ligj të qeverisë. Kreu i Shtetit, i ka kthyer qeverisë aktin normativ për ndryshimin e Buxhetit të Shtetit 2021, duke marrë shkas pikërisht nga alokimi i fondit shtesë 900 milionë lekë për Bashkinë e Tiranës për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar.
Me kthimin e këtij ligji duket se presidenti Ilir Meta po vijon betejën për godinën e Teatrit Kombëtar dhe kalimin e saj në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Kujtojmë se, edhe pak ditë më parë presidenti ktheu disa ligje, dhe duket se kohët e fundit ai është mjaft aktiv në politikë, ndërsa kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi, është zhdukur që pas zgjedhjeve të 25 prillit.
Ndërkohë, në arsyetimin për kthimin e ligjit për ndryshimin e buxhetit, Meta shprehet se alokimi i kësaj shume për Bashkinë e Tiranës është në shkelje të vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese. Meta shprehet se qeveria dhe Kuvendi kanë krijuar një tjetër situatë absurde, duke thelluar paligjshmërinë.
“900 milionë lekë për Teatrin e ri, Qeveria dhe Kuvendi vazhdojnë të miratojnë vendime nën frymën e akteve antikushtetuese. Qeveria dhe Kuvendi kanë shkelur, anashkaluar dhe sfiduar hapur autoritetin vendimmarrës të Gjykatës Kushtetuese. Fondi 900 milionë lekë për Teatrin e ri, akordohet për një projekt dhe pronë që nuk duhet të ishte dhe që sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk është më në kompetencën apo në pronësinë e Bashkisë Tiranë”, – thotë Meta.
Kujtojmë se, akti Normativ i Qeverisë i miratuar më 22 qershor parashikonte rritje të shpenzimeve dhe deficitit buxhetor. Konkretisht shpenzimet për vitin 2021 do të ishin mbi 610 miliardë lekë, nga 598.2 miliardë lekë që ishte parashikimi në muajin prill të këtij viti. Nga kjo shumë, më shumë se 1 miliardë lekë i shtohen të ardhurave të pushtetit vendor, ku 900 milionë lekë i jepen Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e teatrit të ri kombëtar.
Diskutime rreth kësaj post