Presidenti Ilir Meta i ka kthyer një tjetër ligj mbrapsht qeverisë. Pas dërgimit të dosjes së shkarkimit në Kushtetuese, ra qetësia në raportet e presidentit me mazhorancën, por fill pasi u bë e ditur se Kushtetuesja nuk e ka futur në axhendë as në shtator dhe tetor shkarkimin e tij, Meta ka rinisur “luftën” me qeverinë.
Të martën ai i ktheu mazhorancës ligjin për të huajt, ndërkohë dje Presidenca ka njoftuar se është refuzuar dekretimi i ligjit për ndryshimin e buxhetit. Nëse shohim qëndrimet e Petrit Vasilit, të LSI dhe riaktivizimin e sulmeve nga ana e presidentit, duket se në shtator do të kemi një klimë jo fort të mirë. Dekretimi i qeverisë së re është në dorë të presidenti dhe sinjalet janë se Meta mund të sjellë surpriza. Ka zëra që thonë se mund të refuzojë dekretimin e Ramës si kryeministër, ose mund të bllokojë disa prej ministrave. Mbetet të shihet se çfarë do të sjellë shtatori.
Argumentet
Në argumentimin e kreut të shtetit thuhet se ligji cënon parimet kushtetuese të ndarjes dhe balancimit të pushtetit dhe rrezikon qëndrueshmërinë financiare të vendit.
“Akti Normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 25, datë 22.6.2021, nuk justifikohet as me “nevojën” dhe as me “urgjencën”, duke bërë që miratimi i tij me ligjin nr. 86/2021, të cënojnë disa parime kushtetuese si: ndarjen dhe balancimin e pushtetit; të shtetit të së drejtës; si dhe parimin e proporcionaliteti”, – tha presidenti.
Më tej ai ka deklaruar se qeveria ka për detyrë të tregojë se përse ky ndryshim vjen në formën e një akti normativ.
“Ky detyrim ka karakter formal dhe substancial. Qeveria është e detyruar ta pasqyrojë shpjegimin në përmbajtjen e çdo akti normativ me fuqinë e ligjit që nxjerr, minimalisht në preambulën e tij. Ndërkohë që në rastin konkret, ndryshimet e propozuara dhe të miratuara përmes Aktit Normativ nr. 25, datë 22.6.2021, të Këshillit të Ministrave, nuk përligjen me ndonjë nevojë, e aq më pak urgjencë. Akti normativ miratuar me ligjin nr. 86/2021, në nenet 1 dhe 2 të tij, bien ndesh me parimet e ligjit themeltar të shtetit dhe rrezikon qëndrueshmërinë financiare të vendit”, – thuhet në argumentet e Metës.
Sipas tij, nëpërmjet ndryshimeve të miratuara në aktin normativ nuk preken vetëm parimet që lidhen me qëndrueshmërinë e borxhit, si dhe të kufirit të deficitit buxhetor, por nuk arrihen të zbatohen të gjitha parimet e parashikuara në nenin 4/1 të Ligjit Organik te Buxhetit (LOB), pikërisht të përdorimit të të ardhurave nga privatizimi për uljen e borxhit publik, si dhe parimin e disiplinimit të ndryshimit të ligjeve fiskale.
“Së dyti, ndryshimet e miratuara do të sjellin rrezikun real të lartë të rritjes së mëtejshme të borxhit publik, dhe të mosrespektimit të disiplinës financiare për administrimin fiskal si në drejtim të burimeve, ashtu edhe në drejtim të shpenzimeve publike”, – shprehet Meta.
Presidenti shprehet se akti normativ jo vetëm që nuk garanton realizimin e objektivit kryesor të politikës fiskale për një rikthim të raportit të borxhit ndaj PBB-së poshtë nivelit 45% të saj, por përkundrazi do ta thellojë më tej rrezikun e qëndrueshmërisë së financave publike dhe do ta vendosë potencialisht në një krizë të rritjes së borxhit dhe përkeqësimit të treguesve makroekonomikë të vendit.
Diskutime rreth kësaj post