Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako ka folur për situatën aktuale të vatrave të zjarreve në vend. Ai tha se në Gjirokastër, ku për fat të keq u regjistrua një viktimë nga flakët, situata paraqitet e stabilizuar dhe zjarret në pjesën më të madhe janë vendosur në kontroll.
Gjendja paraqitet më e qëndrueshme edhe në Karaburun, e deri më tani sipas Çakos nuk rrezikohet Parku kombëtar i Llogarasë. Ai tha se në terren po operojnë shumë Forca të Armatosura, e të gjithë janë në dispozicion për të neutralizuar flakët.
Sipas Çakos, FA ka mjete të modernizuara për të menaxhuar situata të tilla, mjetet rrethanore të kapura në sekuenca të ndryshme të kamerave sipas tij, janë përdorur vetëm në raste emergjente.
“Jam duke u kthyer nga Gjirokastra në drejtim të Karaburunit. Tani do të ndjek operacionin në Karaburun, në kufi me Parkun e Llogarasë. Në Gjirokastër pas një lufte dhe përpjekje të vazhdueshme, pothuajse situata është vendosur në kontroll. Atje janë angazhuar një numër i konsiderueshëm i forcave të Armatosura, policisë, zjarrfikëse. Aty patëm fatkeqësisht një humbje të qytetarit, por situata është në kontroll të plotë. Në Karaburun, janë po ashtu forca të shumta. Janë rreth 380 forca që operojnë në pjesën fundore të Karaburunit. Operacioni po vijon me tre helikopterë. Mund të themi që është shmangur rreziku për Parkun Kombëtar të Llogarasë, por jemi ende në proces pune. Raportohet vatra zjarri në Durrës, Shkodër, Dibër, por këto vatra vihen në kontroll prej tyre.
Janë vatra që nuk rrezikojnë jetë njerëzish. Kemi një plan kombëtar, në varësi të situatave që jepen bëjmë organizimin. Ne kemi ditë që kemi angazhuar dhe angazhojmë strukturat qendrore. Pajisjet dhe uniformat mbrojtëse i kanë efektivët e FA, janë aktivizuar. Zjarri nuk fiket me kompjuter, mjetet rrethanore në momente të caktuara shfrytëzohen. Kuptohet janë në varësi të rrethanave të krijuara. FA ka në dispozicion pajisje moderne, falë edhe ndihmës së partnerëve dhe njësive vendore. Ka pasur njësi të caktuara me uniformë, ndërsa njësi të tjera mund të jenë me mjete rrethanore. Më e rëndësishme është mobilizimi dhe të gjithë kanë qenë të mobilizuara. Pasojat që vijnë nga zjarret dëmtojnë ekonominë e fermerëve, gjithsesi detyra është e të gjithëve e jo vetëm e shtetit”, – tha Çako.
Diskutime rreth kësaj post