Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi thotë se janë ndaluar 6 persona të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme. Peleshi tha se ka proba të mjaftueshme që i lidhin këta persona me zjarrvëniet. Ai gjithashtu thumboi opozitën duke u shprehur se duhet të jetë në krah të autoriteteve në momente të vështira si kjo.
Peleshi tha se në asnjë vend perëndimor nuk ndodh që opozita të jetë me zjarret.
Deklarata e Peleshit:
“Janë ndaluar gjashtë persona, tre vetëm dje. Ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar se zjarret janë të qëllimshme. Apeli shkon për të gjithë që kanë një rol për të ruajtur, ju na keni ndihmuar për evakuimin e zjarreve. Qëllimi i opozitës nuk është për të thënë gjithmonë të kundërta. Nuk ka opozita që të jenë me zjarrin, por me qeverinë në momentin e betejës, por më pas të tregojnë që dinë ta bëjnë më mirë këtë punë.
Të gjitha vatrat e zjarrit janë shuar në Gjirokastër pas punës së palodhur të efektivëve të FA dhe punonjësve të bashkisë, shërbimit pyjor si dhe forcave zjarrfikëse. Kujtojmë se një ditë më parë u shënua viktima e parë në vend në një fshat të Gjirokastër, ku 64 vjecari u gjet i djegur pasi u përpoq të shuante flakët në banesën e tij.
Ndërsa puna nga forcat operacionale po vijon për shuarjen e zjarrit në Gadishullin e Karaburunit. Një pjesë e forcave ndodhen në fshatin Delisuf, ku është riaktivuar vatra e zjarrit. Gjithashtu po punohet për shuarjen e flakëve edhe nga ajri.
Zjarri në fshatin Cukal, njësia administrative Shllak, bashkia Vau Dejës është izoluar në pjesën më të madhe të tij. Kanë mbetur vetëm disa vatra të vogla, te cilat po kontrollohen nga forcat në terren.
Zjarri në qyteti Fushë Arrëz, bashkia Fushë Arrëz, vazhdon me intensitet të ulët. Është izoluar një pjesë e madhe e vatrës dhe po punohet për shuarjen përfundimtare.
Zjarri ka përparuar në një pjesë shkëmbore, pak e pyllëzuar në fshatin Lukan, njësia administrative Selishtë, në bashkinë Dibër. Vatra mbetet aktive, por pa probleme për përhapje të mëtejshme. Edhe aty janë angazhuar forca të pushtetit vendor, të cilat po mbajnë situatën nën kontroll.
Në fshatin Zogas, në Skrapar, zjarri mbetet aktiv, por pa rrezik për banesat. Situata po ndiqet në vijim.
Në Elbasan, në vendin e quajtur “Gropat e Borës”, midis fshatrave Cerujë dhe Gur i zi, njësia administrative Labinot Mal, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pylli me bimësi të ulët. Situata edhe këtu është në monitorim.” – tha Peleshi.
Diskutime rreth kësaj post