Futja në Kuvend ose jo e ish-kryeministrit Sali Berisha duket se ka sjellë debate brenda Partisë Demokratike. Ish-kandidati për kryetar të PD, Fatbardh Kadilli mbështet vendimin e SHBA që ish-kryeministri të mos jetë në Kuvend në shtator ku po ashtu sulmoi dhe kreun e PD, Lulzim Bashën.
Pas kësaj menjëherë ka reaguar deputeti i zgjedhur i PD, Tritan Shehu, i cili e ka quajtur Kadillin një turp. Ai tha se provokimet që mbështetësit e Berishës janë antiamerikanë janë të pavërteta. Shehu u shpreh se pavarësisht debateve brenda partisë, PD ka patur në themel të saj dashurinë dhe respektin për SHBA. Sipas tij, ish-kryeministri ka qenë promotori i parë i këtij parimi.
“Po lexoj në media që Kadilli duke sulmuar dhe Bashën paska thënë: Mbështetësit fanatikë të Berishës janë kthyer në antiamerikanë! Sikur të kishte zbuluar talebanët në PD flet ky Kadilli!!! Dhe pastaj ëndërron të bëhet dhe kryetar i PD! Turp i vërtetë ky. Kjo është vetëm një gënjeshtër monstruoze dhe një provokim i ulët. Dashuria e respekti i pakufishëm për SHBA ka qenë në themel të PD, që në lindje të saj… e vazhdon të jetë në të gjitha nivelet e kësaj partie, edhe pavarësisht debateve tona të brendshme. Dhe promotori i këtij parimi të madh ka qenë pa ndërprerje pikërisht Berisha vetë. E tillë vazhdon PD edhe sot me kryetar Bashën”, – tha Shehu.
Ndërkohë Kadilli është shprehur se nuk hyn në kategorinë e politikanëve që mbajnë dy kunguj në sqetull. Ai tha se do të ishte e pafalshme nëse vendimet e ardhshme do të jenë në kundërshtim me ato çka SHBA kërkon. Sipas tij, demokratët duhet të shohin nga e ardhmja duke iu referuar kështu shkëputjes së PD nga Berisha.
“Unë nuk hy tek politikanët që mbajnë disa kunguj nën një sqetull. Duhet kurajo e madhe të bësh gjithnjë “frytmbajtësin” dhe për më tepër për shumë vite me radhë. Është e pafalshme që vendimet e nesërme të jenë në kundërshtim me standardin dhe kërkesat e SHBA. Demokratët duhet të shohin nga e ardhmja”, – është shprehur ai.
Diskutime rreth kësaj post