Fatbardh Kadilli, një nga emrat që garoi përballë Lulzim Bashës për drejtimin e Partisë Demokratike, shpërtheu dje në kritika të forta ndaj liderit demokrat për qëndrimin që ka mbajtur për çështjen e ish-kryeministrit Sali Berisha, pas shpalljes së këtij të fundit “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, e teksa i referohet ultimatumit të ambasadores Yuri Kim për zotin Basha, të cilit i dha mesazh të qartë se SHBA nuk e do ish-kryeministrin Berisha në Kuvend në shtator, zoti Kadilli theksoi se është e pafalshme që vendimet e nesërme të PD-së të jenë në kundërshtim me kërkesat e SHBA. Madje, ai përsëriti se ka ardhur momenti që Partia Demokratike të shohë nga e ardhmja.
Deklarata e Kadillit:
“Është e turpshme që kryetari i Partisë Demokratike vihet me shpatulla pas muri nga Ambasadorja e USA për një çështje që zvarritet prej kohe, për një çështje që bën sikur nuk është. Është e pafalshme që vendimet e nesërme të jenë në kundërshtim me standardin dhe kërkesat e SHBA, vendit që ka një peshë të madhe në krijimin dhe mbështetjen e Partisë Demokratike.
Është e papranueshme që Kryetari, pas këtij takimi, të kryejë veprime dhe të marrë vendime të detyruara vetëm e vetëm për të ruajtur karrierën apo karrigen, por aspak pse ai beson me sinqeritet tek aleanca strategjike me SHBA. Mbërritja në këtë situatë nuk e rrit besimin tek lidershipi i tij, por e zvogëlon atë edhe më shumë në raport me Shqipërinë, SHBA dhe demokracinë. Në Kuvendin Kombëtar u bëra thirrje demokratëve “për t’u ndarë nga çdo trashëgimi që na komprometon, që na mban peng. Sado emocione të na lidhin me atë”. Demokratë të shohim nga e ardhmja”, deklaroi Kadilli.
Diskutime rreth kësaj post