Tashmë nuk ka më asnjë dilemë, qeveria e re është në dorë të presidentit Ilir Meta. PS nisi një proces shkarkimi për presidentin, por pavarësisht tentativave për ta mbyllur këtë çështje brenda korrikut apo gushtit, Meta do të jetë në detyrë brenda 9 shtatorit, kur do të formohen Parlamenti dhe qeveria e re.
Gazeta “Sot” një ditë më parë publikoi axhendën e Kushtetueses, ku është bërë me dije se gushti do jetë pushim, ndërsa në shtator dhe tetor nuk përfshihet shkarkimi i presidentit. Por kjo do të thotë se tashmë shanset që të kemi një konflikt institucional në vjeshtë të jenë të mëdha. Së pari është presidenti, ai i cili duhet të thërrasë mbledhjen e Parlamentit të ri në shtator.
“Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, por jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të këtij mandati. Kur Kuvendi paraardhës është shpërndarë para mbarimit të mandatit, Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e ri jo më vonë se 10 ditë pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve”, – thuhet në Kushtetutë.
Në këtë rast Meta pritet të mos krijojë pengesa, pasi edhe nëse nuk e thërret, pas 10 ditësh Kuvendi mblidhet vetë. Pengesat mund të vijnë në atë që ndodh më pas. Partia Socialiste do i propozojë Metës emërimin e Ramës kryeministër.
“Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend”, – thuhet në Kushtetutë.
Frika e socialistëve është se Meta duke qenë se nuk i njeh zgjedhjet, mund të mos emërojë Ramën kryeministër. Por edhe nëse ndodh kjo, frika është se Meta mund të bllokojë disa ministra. Vendimin e Kushtetueses për dekretimin ministrave, secila palë e interpreton në bazë të interesit dhe shanset që Meta të bllokojë disa ministri janë të shumta. Por edhe sikur Meta të mos krijojë asnjë pengesë, absurdi do jetë se Rama dhe ministrat e tij janë të detyruar të betohen para Metës, pra para një presidenti të shkarkuar po prej tyre. Kjo do të thotë se shtatori prite të jetë një muaj surprizash dhe zhvillimesh.
Sinjalet e LSI
Edhe pse këshilltari i Metës para pak javësh dha sinjale se mund të mos ketë pengesa, partia e tij (LSI), po paralajmëron se Meta mund të mos njohë zgjedhjet. Një ndër njerëzit më të besuar të Metës është padyshim Petrit Vasili. Shumë reagime të tij kanë qenë në një linjë me presidentin dhe pse jo, të porositura prej tij. Pasi ODIHR publikoi raportin për zgjedhjet, vihet re një reagim shumë i ashpër i tij, ku shpreh se zgjedhjet u vodhën, qeveria nuk është legjitime etj. Pyetja që shtrohet është: A janë këto sinjale të Metës se mund të mos njohë zgjedhjet në shtator dhe për pasojë të bllokojë qeverinë?
“Zgjedhjet e reja janë hap i detyruar dhe i pashmangshëm për të shpëtuar Shqipërinë nga gremina antidemokratike dhe kriza e tmerrshme ekonomike politike dhe sociale, që po zhbën vendin dhe po largon shqiptarët. Kundër zgjedhjeve te reja s’ka asnjë alibi pasi batërdia kriminale zgjedhore e 25 prillit i rrezoi të gjitha. Zgjedhjet e lira me çdo kusht dhe me çdo mjet për shpëtimin e vendit kjo është imperativa e vetme, përballë një Shqipërie, që po shqyhet për ditë nga një pushtet politik i shfrenuar dhe mafioz”, – ka deklaruar Vasili.
Diskutime rreth kësaj post