Kryeministri Edi Rama u shpreh sot hapur nga Shkupi se nisma rajonale e vendeve të Ballkanit Perëndimor për 4 liritë e lëvizjes, e ashtuquajtur ndryshe “Minishengeni” është një nismë jo ekskluzive dhe gjithëpërfshirëse. Duke iu referuar refuzimit të Kosovës, qeveria e së cilës deklaroi sot se nuk kanë pasur ftesë, Rama iou përgjigj me shprehjen ‘na ftuan s’na ftuan’.
“Të tre ne e kemi thënë, rithënë, stërthënë, jo vetëm me gojë, por edhe në deklaratat tona që kjo nismë nuk është ekskluzive por inkluzive, nuk është përjashtuese por gjithëpërfshirëse. Është nismë e hapur dhe e lirë për të gjitha vendet që do veprojnë sipas interesit dhe logjikës së tyre. Shqipëria do e bëjë këtë proces me të gjithë kur dhe si të jetë e mundur. Nga ana tjetër nuk ka për ne asnjë problem nëse dikush tjetër nuk do ta bëjë apo do ta bëjë pjesërisht. Ne duam që komunitetet e vendeve tona të kenë një hapësirë lirie europiane brenda rajonit tonë dhe nuk ka asnjë problem për këtë”, – tha Rama.
Ai theksoi se Serbia dhe presidenti i Serbisë kanë bërë një ekstramilje, duke pranuar që nisma të jetë jo vetëm gjithëpërfshirëse por të shkojë përtej procesit të Berlinit kur vjen fjala për lëvizjen e lirë të qytetarëve.
“Që do të thotë që në këtë aspekt nuk ka asnjë shoqëri në këtë territor që të jetë e diskriminuar. Përtej çështjes së hapur mes Serbisë e Kosovës, kjo nismë iu thotë popujve, individëve e bizneseve që ju jeni të barabartë, përtej faktit që në nivelin qendror institucional ka një çështje të hapur. Ky është një oportunitet kolosal për të gjithë shoqëritë tona. Është një potencial i madh dhe nuk kemi të drejtë si udhëheqës që ta mbajmë këtë potencial të pazhvilluar”, – u shpreh Rama.
Ai tha se ‘ne nuk kemi të drejtë t’i privojmë shoqëritë tona nga rritja e drejtpërdrejt ekonomike’. Rama deklaroi se do kërkonte falje nëse dilte dikush dhe me fakte tregonte se ku është e keqja e kësaj nisme.
“Nuk e themi ne apo ekspertët tanë, e thonë mekanizmat globale financiare, e thotë Banka Botërore. Hyni në këtë proces dhe do keni rritje të ekonomisë, të GDP. Si mund t’i themi jo, për çfarë arsye? Nëse del dikush që të thotë ja ku është e keqja, e fshehta, konspiracioni në këtë nismë, me fakte konkrete unë kërkoj falje. E shkuara nuk mund të mbajë peng popujt.
Ne jemi gati që të gjitha këto marrëveshje t’i bëjmë me të gjithë. Pa hyrë në këtë proces kemi bërë ligjin për t’i trajtuar qytetarët e rajonit, të barabartë me qytetarët e BE-së kur vjen puna tek lejet e qëndrimit apo të punës. Është absurde që qytetarët e BE-së t’i trajtojmë si qytetarë të dorës së parë dhe qytetarët e rajonit si të dorës së dytë. Nismat do jenë inkluzive. Nuk do i ndajmë të rinjtë, në të dorës së parë dhe të dorës së dytë, nëse vjen fjala për lëvizjen universitare, mundësitë për të bashkëpunuar për kulturën, kinematografinë etj. Por nuk mund të vendosim për qeveritë e tjera për lëvizjen e lirë të mallrave.
Më 1 janar 2023 do kemi mes vendeve tona 0 pritje në kufij. Të tjerët janë të mirëseardhur. Boll me këtë na ftuan, s’na ftuan. Ishim në Tiranë, të 6 vendet për të diskutuar dhe aty diferenca ishte e qartë. Disa duan, disa s’duan. Autostradat, hekurudhat, lëvizja e lirë e mallrave, mbase nuk janë e njëjta gjë me demokracinë, po demokraci dhe liri pa këto është shumë e vështirë të kesh dhe ta kesh të pakërcënuar. Kështu që unë bashkohem plotësisht me bindjen që politika më e mirë është bashkëpunimi, afrimi, ekonomia, rinia”, – deklaroi Rama.
Diskutime rreth kësaj post