Shtohen thirrjet për largimin e ish-kryeministrit, Sali Berisha nga Partia Demokratike, politika dhe Parlamenti. Zoti Berisha dhe familja e tij u shpallën persona “non grata” nga amerikanët pak javë më parë, ndërkohë që duket se ky vendim po shihet nga analistët dhe politikanët si rruga e vetme që mund të thyente hegjemoninë e ish-kryeministrit në Shqipëri.
Pak ditë më parë deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Mark Marku dhe anëtari i “Grupit për PD”, Bislim Ahmetaj kanë kërkuar largimin e Berishës nga politika, ndërsa dje të njëjtën kërkesë ka artikuluar edhe anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Agim Baçi.
Ky i fundit teksa ishte i ftuar në një studio televizive, e lidhi shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit Sali Berisha nga ana e Departamentit Amerikan të Shtetit me vendosmërinë se askush më në Shqipëri nuk është i paprekshëm. Sipas tij, jo më kot ky hap u nis me Berishën, për të dhënë mesazhin e qartë që ka mbaruar koha e pandëshkueshmërisë.
“Me shpalljen non grata të Sali Berishës nga Departamenti Amerikan i Shtetit, çdokush në Shqipëri është i prekshëm. Pra, në qoftë se deri dje kishim një mit që nuk thyhej, sot ka filluar të ndodhë kjo gjë dhe kjo shpallje non grata e ish-kryeministrit tregon që asnjë nuk do të jetë i paprekshëm”, – deklaroi ai. ‘
Ndërkohë, duke komentuara deklaratat e Petro Koçit se në Fier krimi po merr tendera, zoti Baçi u shpreh se shpreson që SPAK të jetë serioz dhe t’i shkojë deri në fund këtij hetimi të nisur.
“Mungesa e drejtësisë në këtë vend deri më sot ka bërë që si opozita ashtu edhe mediat të dalin në rolin e thashethemexhiut sepse nuk ia merrte askush për bazë denoncimet. E përgëzoj z. Koçi që ka bërë këtë hap. Shpresoj që SPAK të jetë serioz dhe t’i shkojë deri në fund këtij hetimi dhe të japë një rezultat konkret”, – nënvizoi Baçi.
Diskutime rreth kësaj post