Në një intervistë televizive, anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Roland Bejko ka folur mbi situatën në Partinë Demokratike dhe për analizën e zgjedhjeve të 25 prillit.
Sipas Roland Bejkos analiza e zgjedhjeve vazhdon të bëhet. Ai theksoi se duhet që Edi Ramës t’i priten duart, në kuptim të figurshëm, pra t’i shkatërrohet mekanizmi që ka krijuar për manipulimin e votave.
“Secili nga drejtuesit e qarqeve prezantoi mendimin e asaj sa ndikoi në rezultat ndërhyrja e qeverisë për të deformuar vullnetin e qytetarëve, pra duke mos e lënë votën e qytetarëve të rridhte e lirë. Duke ndaluar këtë dhe duke gjetur një përkrahje të ndërkombëtareve të cilët luajnë rol të rëndësishëm, të jeni të sigurt që nuk do të kemi më të njëjtin deformim të vullnetit të qytetarëve. Duhet që Edi Ramës t’i priten duart, t’i shkatërrohet kjo inxhinieri që ka krijuar për manipulimin e votave, dhe përfundimisht të kemi zgjedhje të lira. Analiza vazhdon”, tha Bejko.
Duke folur për zërat kundër në PD, Roland Bejko u shpreh se këto zëra vetëm sa e kanë pasuruar partinë.
“Kuvendi na dha një mesazh të rëndësishëm duke thënë demokracia shqiptare kur ka vullnet funksionon dhe kur nuk ka vullnete ajo mund të cedojë. Me këtë rast i kemi brenda të dyja. Debatet e shëndoshin demokracinë. Sidomos kur pas ideve shoqërohen me aksione. Kur kemi debate për sherre personale kjo e kompromenton demokracinë. Dua të them edhe këto janë të pranueshme. Edhe vetë demokracia është komplekse. Mendoj se PD në fund fare u pasurua me këto debate. I tregoi opinionit publik nëse ti debaton aty nuk ngelesh jashtë. Unë personalisht kam thënë një parti politike duhet të dijë të bashkëjetojë në diversitet“, deklaroi ai.
Në fund ai kishte dhe një ftesë për zërat kundër të cilëve ju bëri thirrje që të luftonin së badhku për të mirën e partisë.
“Më ka ndodh dhe mua ta shoh vetën jashtë Këshillit Kombëtar por nuk jam larguar nga PD. Unë do t’i ftoja të qëndrojnë dhe të gjithë së bashku të luftojmë. PD doli mirë nga kuvendi në tërësi. Një parti politike nuk e pasuron vetëm elementi sasior por idetë dhe aksionet që përfundojnë me rezultate politike. Të gjithë ne kemi një qëllim, pra ta rimëkëmbim PD-në. Mbi të gjitha kemi nevojë të gjejmë një ekip pasionant . Kemi nevojë të krijojmë një lidhje të fortë midis qendrës dhe bazës”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post