Themeluesi i kompanisë Amazon, Jeff Bezos pritet të udhëtojë në hapësirë të martën (20 korrik), në 52 vjetorin e misionit Apollo 11 në Hënë me astronautët Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin. Do të jetë fluturimi i parë me ekuipazh i kompanisë për eksplorimin e hapësirës Blue Origin. Bezos do të udhëtojë me vëllain e tij, një 82-vjeçare që është pioniere e aviacionit dhe një 18-vjeçar që do të bëhet personi në moshën më të re që fluturon në hapësirë.
Themeluesi i kompanisë Amazon, bën udhëtimin në hapësirë disa ditë pasi miliarderi Richard Branson i kompanisë Virgin Galactic bëri të njëjtën gjë më 11 korrik.
Blue Origin mori së fundmi miratimin e qeverisë amerikane për të dërguar pasagjerë në hapësirë, përfshirë edhe vetë zotin Bezos. Ai do të shkojë me raketën New Shepard të martën nga Teksasi Perëndimor.
Kapsula e lëshuar nga raketa New Shepard arrin lartësinë 106 kilometra dhe ulet me parashutë në sipërfaqen e shkretëtirës, e ngjashme me mënyrën se si kapsulat e NASA-s Mercury, Gemini dhe Apollo uleshin në oqean.
Do të jetë udhëtimi i parë me pasagjerë për Blue Origin, e cila ashtu si Virgin Galactic e Richard Branson planifikon të fillojë të fluturojë me pasagjerë që paguajnë në muajt në vazhdim. Çmimet do të bëhet të njohura dhe biletat do të fillojnë të shiten pas flulturimit të zotit Bezos.
Ai dha dorëheqjen si shef ekzekutiv i kompanisë Amazon këtë muaj. Ai e themeloi Blue Origin në vitin 2000. Ai do të marrë me vete në fluturim vëllain e vogël Mark, një investitor dhe zjarrfikës vullnetar, si edhe astronauten pioniere, Wally Funk.
Ajo është një nga gratë që e kaloi me sukses trainimin për astronaute në vitet 1960, por kurrë nuk arritën në hapësirë – dhe as u bënë pjesë e trupës së astronautëve të NASA – s sepse ishin femra.
Në moshën 82 vjeçare, Funk do të bëhet personi më i moshuar që fluturon në hapësirë. John Glenn, kishte vendosur rekordin e mëparshëm, kur në moshën 77 vjeç fluturoi me anijen e hapësirës Discovery në vitin 1998. Një 18-vjeçar do të bëhet personi më i ri në hapësirë.
Blue Origin njoftoi të enjten se në vend të fituesit të një ankandi prej 28 milionë dollarësh që mendohej se do të fluturonte me themeluesin Jeff Bezos, mes pasagjerëve do të jetë hollandezi Oliver Daemen i cili doli i dyti në ankand.
Kompania tha që ai do të jetë pasagjeri i parë që paguan, por nuk e bëri të ditur çmimin e biletës. Të katërt ata do të nisen nga Teksasi Perëndimor mbi një raketë New Shepard për një fluturim prej 10 minutash.
Themeluesi I Virgin Galactic, Richard Branson fluturoi në hapësirë të dielën e kaluar, i shoqëruar nga pesë pjesëtarë të kompanisë së tij./voa
Diskutime rreth kësaj post