Ish-deputeti Astrit Patozi ka përgëzuar Mark Markun për fjalimin e fortë që mbajti në Kuvendin e Partisë Demokratike ditën e sotme. Ai thotë se ishte Marku ai që e shpëtoi Kuvendin, pasi në të kundërt lajmi i vetëm do të ishte se Kuvendi i u mblodh dhe u thanë të njëjtat gjëra nga të njëjtët njerëz.
Sipas Patozit, ky është rasti tipik ku mjafton një zë i vetëm për ta bërë të ndjehet e mundur të gjithë turmën mediokre që mbështillet rreth udhëheqësit.
Postimi i plotë:
“MARKU SHPËTOI KUVENDIN E PD
Nëse Mark Marku nuk do të kishte folur, Kuvendi i PD do të kishte qenë edhe më keq se një ngjarje e mërzitshme. Ku lajmi i vetëm do të ishte se ai u mblodh, sa kohë që u thanë të njëjtat gjëra nga të njëjtët njerëz.
Ndërhyrja e tij e shpëtoi në një farë mënyre Kuvendin, i cili ndryshe do të linte shijen e leximit të një relacioni projekligjesh, nga ato më pak të rëndësishmit në parlament, ku mungon edhe vëmendja e atij që e ka shkruar.
Ky është ndoshta rasti tipik për të kuptuar se politika nuk është gjithmonë çështje numrash, edhe sepse numrat vetë nuk jepen një herë e përgjithmonë në politikë.
Nganjëherë mjafton një zë e vetëm për ta bërë të ndjehet e mundur të gjithë turmën mediokre, që mbështillet rreth udhëheqësit. Dhe për ta hedhur në kosh të gjithë regjinë dhe burokracinë e kushtueshme të organizimit të një eventi pompoz, për të mbuluar boshllëkun ulëritës nga mungesa e vizionit dhe e vullnetit për të ndryshuar.
Kjo është, në fakt, fuqia që vjen nga kombinimi i idesë së duhur me kurajon për të thënë disa të vërteta, edhe atëherë kur pothuajse të gjithë u janë dorëzuar hipokrizisë për të mos e parë dhe gjetur kurrë përgjegjësinë tek vetja.”-tha Patozi.
Diskutime rreth kësaj post