Kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka mbajtur fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar të PD-së, ndoshta i fundit sipas atij në cilësinë e kryetarit të Forumit Rinor.
Duke folur përpara të pranishmëve, Belind Këlliçi falenderoi të rinjtë demokratë të cilët kontribuan në 8 vitet e fundit për PD-në, 200 prej të cilëve ndodhen dyerve të gjykatave për shkak të procedimeve duke qenë se u përballen me regjimin. Nga ana tjetër, Belind Këlliçi , deputeti tashmë i zgjedhur në qarkun e Tiranës, kërkoi nga demokratët që të fillojnë analizën për humbjen e zgjedhjeve të 25 prillit nga vetja e tyre.
Pjese nga fjala e Këlliçit:
“Miqtë e mi,
Një mundësi për ndryshim iu grabit Shqipërisë, por mbi të gjitha iu grabit të rinjve.
Fushata jonë kishte në thelb programin dhe ekipin. Kandidati ynë për Kryeministër Lulzim Basha, kërkoi votën e shqiptarëve për ndryshim duke harmonizuar bashkëpunimin e PD me grupet e interesit, me 12 kontrata që do i jepnin frymëmarrje ekonomisë dhe shoqërisë sonë, kurse Edi Rama kërkoi vazhdimësinë e këtij realiteti të trishtë që kemi. Realitet ku zgjedhjet vidhen, ku taksat vidhen, ku Shqipëria vidhet.
Dita e zgjedhjeve tregoi kërshërinë e shqiptarëve për të votuar masivisht, për të votuar ndryshimin dhe për të votëbesuar një Kryeministër normal.
Por, fatkeqësisht ndryshimi u ndalua me çdo mjet që pushteti kishte. Blerja e votës solli tjetërsimin e vullnetit qytetar. Shpërblimi me çertifikata pronësie, legalizime, përfshirje në skemën e rindërtimit, shërbyen si paterica që Edi Rama të mbante sërish veten në këmbë.
Prandaj sot, kryefjala e këtij Kuvendi duhet të jetë ‘Shqipëria’. Duhet të qëndrojmë të bashkuar për Shqipërinë!!! Të luftojmë për të kthyer demokracinë dhe legjitimitetin në Shqipëri, sepse kjo masakër elektorale nuk ka dëmtuar vetëm PD, por më së shumti qytetarët dhe gjithë vendin.
Por në këtë betejë, duhet gjetur edhe kurajo politike për të analizuar gabimet tona. Askush nuk është imun nga gabimi. Unë i pari. Prandaj çdo demokrat duhet ta bëjë analizën e zgjedhjeve nga vetja, nga detyrat dhe përgjegjësitë që ka marrë përsipër. Mirëpres dhe mirëkuptoj çdo kritikë të demokratëve. Fundja ata janë arsyeja e vërtetë se përse PD sot është e vetmja forcë antikomuniste në Europën Juglindore, e cila ende vijon të jetë alternativë qeverisëse.
PD është ekip dhe përgjegjësia është në ekip. Askush nuk duhet ta shohë ndeshjen nga tribuna. Duhet të jemi të gjithë në fushë. Po për këtë arsye, na duhet të mbështesim më shumë njëri-tjetrin. Prandaj i gjykoj të papranueshme sulmet në adresë të FRPD, që erdhën rrufeshëm gjatë garës për kreun e PD. Ne nuk jemi dekori i askujt! Këtë të mos e cojë ndërmend askush, sepse rinia është zemreku i kësaj partie. Kështu ka qenë gjithmonë, që në ditën e parë të themelimit, e deri në ditën e sotme, kur ne aderojmë në cdo organizatë rinore Europiane të djathtë dhe mund ta them me plot gojë, se energjinë dhe përkushtimin e forumit tonë rinor, do ta kishte zili cdo parti e jona simotër në Europë.
Të rinjtë gjatë kësaj fushate, kontribuan kuti më kuti në të gjithë vendin. Duke qenë se kjo është mbase hera e fundit që unë i drejtohem Kuvendit Kombëtar të PD si Kryetar i Forumit Rinor, dua të shpreh mirënjohjen time të pakufi për sakrificën e pashembullt të të rinjve demokratë në këto 8 vite opozitë, ku më shumë se 200 prej nesh, gjenden sot dyerve të gjykatave për shkak të procedimeve penale, sepse i vumë gjoksin dhe qëndruam në rresht të parë, të cdo beteje e përballje me regjimin.
Ndaj dua që sot të falenderoj edhe njëherë publikisht Kryetarin Basha, i cili përmes propozimeve e ndryshimeve statutore, rikonfirmoi dhe njëherë vullnetin e tij të qartë, që të rinjtë e FRPD dhe ata nën moshën 35 vjec, të përfaqësohen me jo më pak se 15% në Këshillin e ri Kombëtar.
Të dashur demokratë,
Egoizmi politik nuk është një dukuri e panjohur. Edhe mes nesh ka plot episode ‘hidh e prit’. Edhe në familje ndodh të kesh të preferuarin tënd, prandaj familja mbetet njësia e parë unitare e shoqërisë. I kuptoj shumë mirë ndjeshmëritë e garës, sepse jam vetë produkt i një gare dhe kam kuptuar se garat fitohen vetëm në ekip. Zgjedhjet e brendshme në PD, treguan dhe njëherë vullnetin e anëtarësisë për të qëndruar të bashkuar, rreth një kauze që i shërben gjithë Shqipërisë, ajo e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Të rinjtë edhe njëherë folën qartë. Ata besojnë tek PD dhe Lulzim Basha, si e vetmja shpresë për të qëndruar e jetuar me dinjitet në vendin tonë.
Prandaj ambiciet tona le t’i veshim me përgjegjësi, dhe t’i japim vendit më të mirën e Partisë Demokratike, duke nisur nga sot, me vendimet dhe zgjedhjet e këtij Kuvendi Kombëtar. Le të shkurtojmë sa më shumë distancën midis shoqërisë dhe PD, duke njehsuar vlerat tona themel, lirinë, sipërmarrjen e lirë dhe mendimin ndryshe. Të pranojmë çdo kontribut, të mbetemi të hapur për çdo shqiptar që sheh tek ne ripërtëritjen e Shqipërisë.
Duke falenderuar dhe njëherë të gjithë demokratët e Kombinatit, Unazës së Re, Kasharit, Yrshekut, Yzberishtit, Mëzezit, Vaqarrit, Pezës e Ndroqit, komunitetin tim të dashur Tirons, si dhe të gjithë qytetarët që u angazhuan në betejën e 25 Prillit, duke falenderuar Kryetarin Basha që më dha privilegjin e të qenurit një prej Drejtuesve Politikë të PD, dua ta mbyll fjalën time me një falenderim të përzemërt e të sinqertë për të gjithë ata të rinj të FRPD, që në këto 8 vite opozitë nuk kanë rreshtur së luftuari për një Shqipëri më të mire; për arsim cilësor e për zgjedhje të lira e të ndershme. Ju keni qenë e jeni forca ime madhore, krenaria dhe shtysa ime, për të vijuar çdo betejë krah PD, krah interesit qytetar.
Në mbyllje të fjalës sime, dua të citoj një nga ikonat e politikës botërore këto 100 vite, Ëinston Churchill. Ai ka thënë se: ‘Pesimistët shohin vështirësi në çdo mundësi, ndërsa optimistët shohin mundësi në çdo vështirësi’.
Miqtë e mi demokratë,
Unë e di se shumica jonë sot janë të lënduar, të zhgënjyer, të trishtuar e më shumë se kurrë të prirur drejt largimit nga vendi. Demokratët kanë 8 vite që sakrifikojnë, luftojnë e besojnë tek një Shqipëri tjetër.
Ndaj sot dua t’u them me plot gojën se:
Po! E kemi një mundësi!
Po! Shqipëria do t’u kthehet shqiptarëve!
Edhe pak durim sepse Shqipëria do t’ju kthehet juve, fëmijëve tuaj, gjeneratës së re të lindur në liri, privilegj të cilin mos ta harrojmë kurrë, se na e mundësoi pikërisht Partia Demokratike e Shqipërisë.
Faleminderit për vëmendjen dhe punë të mbarë Kuvendit!”-u shpreh Kellici.
Diskutime rreth kësaj post