Ish-kryeministri Sali Berisha pavarësisht se u shpall ‘non-grata’ nga SHBA shprehet i bindur se do të vazhdojë të jetë i pranishëm në jetën politike shqiptare. Në një prononcim për mediat, Berisha tha se opozita do të bëjë gjithçka për të larguar nga pushteti Edi Ramën.
“Detyra e çdo demokrati sot nga ky Kuvend është një betim solemn, për të mos e lënë gurë pa kthyer, përpjekje pa bërë për të përmbysur narkoshtetin e vetëm në Europë.
Ky narkoshtet duhet ta ketë orën e numëruar, opozita ka një armatë prej 730 mijë shqiptarësh, të cilëve kreu i Meduzës nuk ia grabiti dot votën, ndaj edhe duhet ti shihni gjëra në kompleksin e tyre.
Çdo demokrat, çdo opozitar do ta thotë fjalën e tij fuqishëm, dhe ai duhet dhe do ti ketë kohët e numëruara. Ajo çka them unë është kjo, jo dëshpërim, sepse jemi një armatë e fuqishme, që mjafton të vendosim të përballemi me regjimin më të ashpër që ka njohur Ballkani pas Enver Hoxhës”, u shpreh Berisha.
I pyetur nga gazetarët nëse do të jetë në shtator pjesë e Kuvendit, Berisha tha se mezi po e pret rikthimin si deputet, ndërsa kujtoi se është një nga themeluesit e parlamentit të parë pluralist në Shqipëri.
“Mezi po pres, mezi po pres, unë jam themelues i parlamentit pluralist në Shqipëri, mezi po pres”, tha Berisha, ndërsa foli dhe për padinë ndaj sekretarit të shtetit në SHBA, Antony Blinken, pasi e shpalli ”non grata”.
Berisha tha se procedurat ligjore po vazhdojnë, dhe avokati i tij francez, është afër dorëzimit të padisë në gjykatë, ndërsa tha se është në pritje të provave kundër tij.
“Procedurat gjyqësore nuk janë procedura emergjente, unë kam shumë besim te avokati im, mund t’iu them ju se jemi në hapat final para dorëzimit të padisë te grykësi, unë qëndroj besimplotë te drejtësia”, përmbylli Berisha fjalën e tij.
Diskutime rreth kësaj post