Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përcaktuar vlerën e një vote për çdo parti. Pas shqyrtimit me detaje KQZ ka publikuar dje vendimin që tregon se sa do të jetë çmimi i një vote të vlefshme, duke përcaktuar kështu vlerën e fondit financiar për partitë. Sipas të dhënave të vendimit, çdo votë e vlefshme do të përkthehet në 85 lekë për partinë që e ka marrë. Përllogaritja e vlerës së votave, në bazë të ligjit, bëhet duke pjesëtuar fondin e përgjithshëm për zgjedhjet që më 25 prill ishte 130 milionë lekë me 1.533.304 vota të vlefshme.
Nëse do të miratohej ky fond i parashikuar, rrjedhimisht sipas një përllogaritje të thjeshtë Partia Socialiste pritet që të marrë pjesën më të madhe plot 65 milionë lekë. Ndërkohë PD mund të marrë 52.8 milionë lekë, LSI 9 milionë lekë dhe PSD parashikohet të marrë rreth 3 milionë lekë.
“Pjesëtimi i fondit të përgjithshëm të miratuar me numrin në total të votave të vlefshme të grumbulluara nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje që kanë marrë jo më pak se 1 për qind të votave të vlefshme në shkallë vendi sjell si rezultat vlerën në para të një vote të vlefshme 130,000,000 lekë për1,533,334 vota, ku 1 votë = 84,78 ( ≈ 85) lekë”, përcakton vendimi i KQZ. Në vendim sqarohet se këtë vit partitë politike do të marrin fond me vlerë më të lartë për shkak se, në ligjin për buxhetin e shtetit 2021 është vendosur që fondi do të jetë dy herë më i lartë se ai i shpallur pas zgjedhjeve në 2017, i cili kapte vlerat e 65 milionë lekëve.
“Në bazë të nenit 180 pikës 4 të Kodit Zgjedhor të ndryshuar, në zgjedhjet e para pas hyrjes në fuqi të këtij ligji fondi nga Buxheti i Shtetit për financimin e partive pjesëmarrëse në zgjedhje përcaktohet se do të jetë 2 herë më i madh, se fondi i alokuar për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017. Fondi i vënë në dispozicion në vitin zgjedhor 2017 ishte 65,000,000 lekë, pra rrjedhimisht u caktua që për vitin zgjedhor 2021 fondi i përgjithshëm i miratuar të ishte 130,000,000 lekë”, sqarohet në vendim.
Diskutime rreth kësaj post