Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj ditën e djeshme ka komentuar lëvizjet e reja në Partinë Demokratike. Ai tha se nëse PD nuk hedh vështrimin mbi veten e saj, nuk do të mund të rilindë. Mustafaj tha se Basha duhet të bëjë një analizë të thelluar sa i përket periudhës parazgjedhore për të parë të mirat dhe të këqijat e partisë. Sipas Mustafajt, kreu demokrat nuk mund të shkojë drejt fitores pa një presion nga brenda.
“Unë kam qenë dakord që është kryer një masakër elektorale sot shpresa e demokratëve është e venitur, e vrarë dhe e lënduar. Nuk mund të rilindë kjo shpresë, nëse PD nuk hedh vështrimin mbi veten. Nëse vetë Basha dhe PD nuk bëjnë një vëzhgim në lidhje me fushatën para zgjedhjeve të 25 prillit, është e nevojshme ta bëjë tashmë për të nxjerrë në pah të mirat dhe këqijat e krerëve brenda partisë. Partia Demokratike nuk ka qenë e mbyllur ndaj termi hapje më duket pa sens, kjo që po bën një lloj rikonstruktimi teknik, shënon vetëm një mundësi që Basha i jep vetes për të shpërndarë disa poste dhe kënaqësia që i jep vetes. Basha nuk mund të shkojë drejt fitores pa një presion nga brenda. Statuti nuk ka qenë i keq, ai që unë kam punuar ka qenë i bazuar në partitë më të avancuara popullore europiane”, tha ai.
Po ashtu Mustafaj tha se i vetmi problem në statut është kufizimi i mandatit të kryetarit. Ai tha se Kuvendi Kombëtar i PD duhet të bëjë një analizë të mirëfilltë sa i përket organizimeve të brendshme. Sipas tij, Kuvendi i PD-së duhet që të bëjë një bilanc të lidershipit se çfarë është bërë mirë dhe çfarë jo.
“I vetmi problem që ka statute, është kufizimi i mandatit të kryetarit dhe kur ai duhet që të hapë rrugën. Kuvendi i PD-së duhet që të bëjë një bilanc të lidershipit, çfarë u bë mirë dhe çfarë jo për të bërë dhe një analizë fikse për humbjet. Kuvendi Kombëtar i PD-së këtë herë ka mundësinë për të bërë një analizë të mirëfilltë në lidhje me organizimet e brendshme. Demokratët kanë një përvojë të mjaftueshme që t’i marrin parasysh gjërat, ne që e themeluan PD-në jemi tërhequr ndërsa të rinjtë nuk kanë më nevojë që të improvizojnë dhe sjellja e tyre politike të jetë më e natyrshme dhe më moderne”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post