Operacionet e fundit të udhëhequra nga Prokuroria Speciale kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë trazuar ujërat brenda mazhorancës. Deputeti i zgjedhur i Partisë Socialiste, Petro Koçi me anë të një deklarate të fortë ka sulmuar dje Bashkinë e Fierit. Gjatë një prononcimi për mediat, Koçi u shpreh dje se në qytetin e Fierit atje, ku dhe ai vetë ka dalë deputet, sipas tij, krimi është i pranishëm në institucione. Ai deklaroi se trafikuesit e drogës kanë legalizuar biznese që fitojnë tendera publike. Sipas tij kjo realizohet ndërmjet lidhjeve të ngushta me zyrtarët ose duke i kërcënuar pronarët e bizneseve.
“Efektet e SPAK dhe të reformës në drejtësi po japin rezultat. Bota e krimit dhe të korruptuarit kanë filluar të ndjejnë frikë nga ligji. Këto efekte i mirëpresim edhe në Fier ku duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike. Protagonistë të trafikut të drogës kanë legalizuar subjekte biznesi që fitojnë tendera publike. Këtë e realizojnë ose nëpërmjet lidhjeve të drejtpërdrejta me ndonjë titullar institucionesh ose nëpërmjet kërcënimit të zyrtarëve të caktuar që ekzekutojnë prokurimet si edhe nëpërmjet eliminimit të konkurrenteve në procesin e tenderimit duke kërcënuar pronarët e subjekteve të biznesit. Financat publike përfaqësohen nga shumë institucione, nuk janë vetëm bashkitë. Ka shumë institucione që administrojnë financa publike të rëndësishme. Organet ligjzbatuese nuk duhet të lejojnë që qyteti ynë t’i nënshtrohet botës së krimit të organizuar”, tha ai.
Deputeti po ashtu i bëri thirrje SPAK të hetojë dhe të marrë masa qoftë politike apo administrative lidhur me persona që nuk janë në rrjedhën e drejtësisë. Sipas tij organet e drejtësisë duhet të veprojnë sapo shkeljet të evidentohen.
“SPAK vepron i pavarur nga partitë politike. Partitë kanë detyrë që përmes përfaqësimit në Parlament, bëjnë thirrje që drejtësia të veprojë, që organet të veprojnë. Kur anëtari i tyre kapet në rrjedhën e drejtësisë, apo kur gjërat evidentohen, të merren masat administrative dhe politike. Partitë politike nuk janë prokurori. Mekanizmi i partive, është lidhja me qytetarët. Çdo opinion, partia i transmeton, nuk është parti-shtet”, tha ai.
Po ashtu Koçi u shpreh se PS nuk ka për t’i dalë në mbrojtje askujt që bie në rrjetën e SPAK. Ai deklaroi se një nga industritë që pastrohen paratë është industria e ndërtimit. Sipas tij këto fenomene duhen denoncuar në mënyrë që të eliminohen sa më parë të jetë e mundur.
“Teknologjia e këtij krimi kjo është, kanë ndërtuar subjekte legale që shpesh herë kapin dhe financat publike, fenomene të tilla ka, PS distancohet nga gjithkush që është në radhët e saj dhe kapet nga rrjeta e SPAK, nuk mban përgjegjësi, një nga industritë që pastron paratë është industria e ndërtimit. Janë fenomene shoqërore dhe politike që duhen denoncuar dhe duhen nxitur që këto fenomene të përkulen dhe mundësisht që të eliminohen fare”, tha Koçi.
Diskutime rreth kësaj post