Juristi Romeo Kara komentoi sot aksionet e SPAK dhe arrestimet në Bashkinë e Lushnjës dhe Ministrinë e Brendshme. Kara tha në një intervistë për Faxnews se këto ngjarje janë të vonuara, dhe shtoi se pritshmëritë janë që SPAK të godasë në nivele më të larta, si ato të ish-ministrave apo ministrave në detyrë.
“Për mua janë ngjarje të pritshme, e ndoshta të vonuara, gjasat janë që këto operacione të jetë në zgjerim dhe në ngjitje, që nënkupton që të kemi deri në nivel ministrash dhe ish-ministrash. SHBA tashmë ka folur, ato e kanë paralajmëruar qartë se do të luftojnë korrupsionin edhe në vendet e origjinës”, – u shpreh Kara.
I pyetur mbi distancimin e kryeministrit Rama nga kryetari i Bashkisë së Lushnjes duke e shkarkuar, Kara tha se ishte e vetmja lëvizje që i kishte mbetur. Ndërsa shtoi se është e pamundur që një nëpunës, siç ishte rasti në ministrinë e brendshme të ketë vepruar e vetme dhe pa dijeninë e eprorëve.
“Besoj se është lëvizja e vetme që i ka mbetur të bëjë, unë duke qenë profesionist i fushës, jam i kujdesshëm që të them se ata janë fajtor, deri në përmbylljen e hetimeve. SPAK besoj se ka mbledhur prova pro dhe kundër tyre, që përfshijnë veprat e shpërdorimit të detyrës dhe të korrupsionit. Nuk besoj se zinxhiri fillon dhe mbaron për një tender 28 milionë eurosh nga një person i vetëm.
Personat që kanë qenë sipër saj, kanë pasur në dorë të gjithë letrat për të audituar çdo shkelje, unë mendoj se aksioni i SPAK nuk është i plotë, pasi nuk ka sekuestruar pasurinë e personave të dyshuar. Kjo pjesë më duket e mangët, ne duhet të godasim pasuritë e këtyre personave”, tha juristi, i cili u pyet dhe mbi mundësinë e dekonspirimit të aksionit të SPAK, duke qenë se vetëm pak ditë më parë drejtoresha e agjencisë së prokurimeve publike u shkarkua nga Çuçi.
“Në dijeninë time SPAK ka ndryshuar sjellje e tij, për mua hetimi duhet shtrirë dhe në fushën se pse drejtoresha ka qëndruar në detyrë deri para një jave. Korrupsioni është i pamundur që të iniciohet nga një nënpunëse e thjeshtë.
Zoti Lleshaj edhe nëse nuk është i përfshirë direkt duhet të mbajë përgjegjësi. Një drejtues institucioni që deklaron se do të mbajë përgjegjësi për çdo punonjës policie, nuk mund të mos mbajë përgjegjësi për drejtoreshën e agjensisë”, – tha Kara.
Diskutime rreth kësaj post