Kryeministri Edi Rama gjatë takimit të tij me krerët e bashkisë dje, ka vendosur përjashtimin e ish-kryebashkiakut të Lushnjes, Fatos Tushe nga partia. Rama tha se Partia Socialiste nuk është zyrë avokatie dhe nuk mund të mbrojë të akuzuarit nga drejtësia. Ai deklaroi se kush shkel të drejtat e qytetarëve do të jetë i vetëm para drejtësisë teksa deklaroi se masat ndaj Tushes do të rishikohen vetëm nëse do të dalë i pafajshëm.
“PS nuk është zyrë avokatie e të pandehurve të akuzuar nga drejtësia, por është fuqia e votuar nga populli i saj. Korrupsioni, ryshfeti, bashkishi nuk kanë ngjyrë politike, janë e zeza, errësira, llumi me të cilin duhet dhe do të përballemi për të vazhduar të reformojmë Shqipërinë. Kush shkel të drejtat e qytetarëve, i vetëm para drejtësisë. Të refuzojmë çdo lloj mbrojtjeje për këdo që bie pre e tyre, të udhëheqim popullin drejt majës. Kryebashkiaku i Lushnjes do të shkarkohet nga detyra dhe do të përjashtohet nga PS. Masat do të rishikohen vetëm nëse do të dalë i pafajshëm”, tha Rama.
Kreu i opozitës, Lulzim Basha shpërtheu në kritika ndaj kryeministrit Edi Rama sa i takon takimit me krerët e bashkive. Kreu demokrat u shpreh se përjashtimi i kryebashkiakut të Lushnjes, Fatos Tushe nga Partia Socialiste është një mënyrë e kreut të qeverisë për të shpëtuar veten e tij. Sipas Bashës, kryeministri e bëri ish-kryebashkiakun e Lushnjes “kokë turku” ndërkohë që ai vetë është më i korruptuari.
“Mund të lash duart me një kryebashkiak të korruptuar apo të bësh koka turku bedelët e tu në atë sallë, por shqiptarët e dinë mirë se peshku qelbet nga koka”, shkruajti Basha.
Më tej një reagim ka ardhur edhe nga ish-deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi e cila me anë të një deklarate për mediat nga selia blu u shpreh se mbledhja e Ramës me kryebashkiakët ishte një teatër absurd. Ajo u shpreh se njerëzit e ndershëm në sallën e mbledhjes ishin shumë të paktë. Sipas Çupit, Rama është një shkelës i ligjeve që nuk vendos dot kritere ndershmërie.
“Pas shfaqjes tallëse të ditës së djeshme me policinë, sot Rama dhuroi shfaqjen e radhës me drejtuesit e komanduar të pushtetit vendor. “Bëni si them unë por mos bëni si bëj unë” u tha Rama të emëruarve të tij në bashkitë e vendit. Natyrisht qytetarët shqiptarë e dinë se njerëzit e ndershëm të mbledhur në atë sallë numërohen në gishtat e një dore, megjithatë të dëgjosh Ramën që bën moral për tenderat dhe korrupsionin, nuk është gjë tjetër veçse një nivel i ri i teatrit të absurdit. Sepse shkelësi i ligjit nuk mund të vendosë drejtësi aq më pak kritere ndershmërie në zbatimin e ligjeve mbi prokurimet publike”, tha ajo.
Po ashtu PD akuzoi kryeministrin për një sërë çështjesh si prishjen e Teatrit Kombëtar, miratimin e ligjeve antikushtetuese, falsifikime firmash e praktika korruptive në kohën e tërmetit e pandemisë. Sipas PD, pas gjithë këtyre veprimeve kryeministri po kërkon të lajë duart.
Diskutime rreth kësaj post