Kreu i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Bujar Nishani ditën e djeshme me anë të një statusi në rrjetin e tij social Facebook ka reaguar ndaj mbledhjes së kryeministrit Edi Rama me krerët e bashkive në vend. Nishani u shpreh se Rama me krerët e bashkive në selinë e qeverisë, flet si kryetar i PS e jo si kreu i qeverisë. Sipas tij, kryeministri ka vendosur një standard demokracie që nuk ngjan aspak me standardin europian.
“Edi Rama mblodhi kryetarët e bashkive të vendit në Selinë e Qeverisë Shqiptare dhe komunikoi me ta si Kryetar i Partisë Socialiste ! Skandal pas skandali. Është e vërtetë që ata janë paraqitur si kandidatë nga ana e Partisë Socialiste, por janë zgjedhur si përfaqësues të gjithë atyre qytetarëve që banojnë në atë territor ku ata duhet t’u shërbejnë qytetarëve! Edi Rama as e kupton, as e percepton këtë lloj kulture demokratike! Nëse do ta pranonim këtë standard demokracie që nuk ka kurrfarë lidhje me standardin evropian, do vijonim t’i trajtonim përfaqësuesit e Pushtetit Lokal, thjesht si përfaqësues të Partisë Socialiste, atëherë çfarë pune kanë ata në Selinë e Qeverisë së Shqipërisë?! Le ti mblidhte ata në Selinë e Partisë Socialiste”, tha ai.
Po ashtu ish-presidenti u ndal edhe tek modeli i qeverisjes së vendit. Ai u shpreh se vendi ka degraduar në një fazë ku injorohen të gjitha si ligji, institucionet, rregullat e të tjerë. Nishani tha se mospajtimi me këtë realitet është sfida. Sipas tij, Rama nuk mund ta kthejë selinë e qeverisë në sallë mbledhjesh për PS.
“Shqipëria është katandisur në një vend ku ka degraduar e injorohet gjithçka ! Ligji, institucioni, rregulli, shteti vetë! Por, mospajtimi me këtë model, është sfidë, është përgjegjshmëri! Pushteti ekzekutiv i Edi Ramës nuk mundet dot në asnjë rast të komandojë, të udhëzojë apo të këshillojë Pushtetin Lokal të shqiptarëve. Edi Rama nuk mundet kurrsesi të kthejë Selinë e Qeverisë së Shqipërisë në një sallë mbledhje për Partinë Socialiste”, u shpreh ai.
Diskutime rreth kësaj post