Shqipëria së fundmi po tregon se është e vendosur për të luftuar korrupsion dhe krimin e organizuar. Sinjalet i ka dhënë Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila ka arrestuar një sërë zyrtarësh të lartë, si gjyqtarë, prokurorë apo kryetarë bashkie. Por duket se edhe qeveria është e vendosur për t’i dhënë një dorë luftës kundër korrupsionit, duke i rreshtuar krah organeve të reja të drejtësisë, të cilat i mbështet pa rezerva, ndërkohë që nuk ka nguruar që të kërkojë edhe asistencën e ndërkombëtarëve në këtë betejë. Pak ditë më parë Tiranën e vizitoi Kryeprokurori i Rumanisë, ndërsa dje ka qenë radha e ministrit të Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut, Bojan Marichikj.
Në vendin fqinj lufta kundër korrupsionit ka qenë e ashpër, pasi shumë zyrtarë kanë përfunduar në rrjetën e drejtësisë, sikundër është ish-kryeministri Nikolla Gruevski. Dhe duket se edhe Shqipëria po merr leksione nga pala maqedonase, pasi dje zoti Marichikj është pritur në një takim nga homologia, Etilda Gjonaj. Sipas një njoftimi të Ministrisë së Drejtësisë, të dy ministrat biseduan mbi marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin gjyqësor si dhe marrëveshjet aktuale të zbatueshme. Gjithashtu bëhet e ditur se ministrat shkëmbyen pikëpamjet për ecjen bashkërisht në rrugën e eurointegrimit.
Po ashtu, temë thelbësore në bisedime ishte përpjekja për forcimin e shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe qarkullimit të parave të paligjshme. Nga ana tjetër, sipas njoftimit të ministrisë, ministrat bënë me dije se dy qeveritë kanë në fokus të veçantë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit transnacional, pastrimit të parave dhe krimit ekonomik si dhe angazhimet e ndërmarra në nivel rajonal e të përcaktuara në Takimin e Nivelit të Lartë të Ohrit të datës 25 qershor, ku u miratua nga institucionet respektive Udhëzuesi Rajonal mbi Antikorrupsionin dhe Flukset e Paligjshme të Parave.
Diskutime rreth kësaj post