Kolegji Zgjedhor, ka rrëzuar ditën e djeshme ankimin e fundit për zgjedhjet e 25 prillit. Ankimi i fundit, ishte bërë nga deputeti i opozitës Kujtim Gjuzi, ndërsa kjo ishte pengesa e fundit ligjore që mbante peng certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve në rang kombëtar. Në padinë e bërë nga koalicioni i drejtuar nga Kujtim Gjuzi, kërkohej anulimin i zgjedhjeve me argumentin, se më 25 prill do kishim një tjetër rezultat nëse emigrantëve nuk do iu mohohej e drejta për të votuar.
Këtë argument, gjykata e rrëzoi duke e cilësuar si të pabazuar në prova dhe fakte. Kështu, Komisoneri Shtetëror i Zgjedhjeve ka shpërndarë 140 mandatet e Kuvendit të ri, ndërkohë pritet që javën e ardhshme Komisioni Rregullator të certifikojë rezultatin e zgjedhjeve në rang kombëtar duke mbyllur në këtë mënyrë odisenë e kontestimit te zgjedhjeve parlamentare. Ndërkaq, Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve, më herët rrëzoi kërkesat e partive opozitare Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, të cilat kërkuan pavlefshmëri të zgjedhjeve në disa qarqe në vend.
Në kërkesën e bërë në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve, partitë kërkuan hapjen e kutive dhe rinumërimin e tyre në disa qarqe në vend, me argumentin se janë konstatuar shkelje, duke pretenduar se ka më shumë fletë votimi se votues dhe se në disa prej tyre mungon dhe regjistrimi. Po ashtu, partitë opozitare në kërkesën e bërë në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve, theksonin se me hapjen e kutive mund të ketë edhe ndryshim rezultati. Mandatet e 25 prillit, janë, 74 për Partinë Socialiste, 59 për Partinë Demokratike, 4 për Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe 3 për Partinë Social Demokrate. Në shtator, demokratët dhe Lëvizja Socialiste për Integrim pritet që të futen në sistem edhe pse publikisht refuzojnë të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve.
Diskutime rreth kësaj post