Pavarësisht deklaratave se Greqia nuk do të njohë ende pavarësinë e Kosovës, duket se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë pësuar përmirësim të dukshëm. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ishte pjesë e edicionit të 25-të të tryezës së organizuar nga magazina prestigjioze britanike “The Economist”, në bashkëpunim me qeverinë greke. Zoti Kurti është pjesë e kësaj tryeze me ftesë të kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis. Sipas një njoftimi të zyrës së shtypit të Kryeministrisë, zoti Kurti i ka deklaruar kryeministrit grek se Kosova dëshiron të ndërtojë mbi lidhjet ekzistuese historike midis dy popujve dhe të ngrejë marrëdhëniet me Greqinë, si element i rëndësishëm për qëndrueshmërinë afatgjate rajonale.
Shefi i ekzekutivit të Kosovës ka theksuar se Greqia dhe Kosova duhet të forcojnë marrëdhëniet e tyre të pavarura për shkak të historisë së gjatë të përbashkët, qëllimit të përbashkët të paqes dhe sigurisë në Ballkan dhe të ardhmes së gjatë të përbashkët. Ai i bëri thirrje kryeministrit Mitsotakis, për njohjen e pavarësisë së Kosovës. “Duke e falënderuar kryeministrin grek për mbështetjen dhe qëndrimin konstruktiv ndaj vendit tonë, që Greqia e ka dëshmuar sidomos në këta muajt e fundit, me mbështetjen e dhënë në favor të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe angazhimin për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, kryeministri Kurti i kërkoi Greqisë “t’i bashkohet bllokut të vendeve që e kanë njohur Kosovën”, thuhet në deklaratën e publikuar nga Kryeministria.
Sipas po kësaj deklarate, kryeministri Mitsotakis rikonfirmoi përkushtimin e Greqisë në promovimin dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në mes dy vendeve në kuadër të promovimit të perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor. një nga hapat e parë të nisjes së bashkëpunimit mes dy shteteve ishte vizita në Prishtinë e ministrit të Jashtëm grek Nikos Dendias në fillim të qershorit, vizitë gjatë së cilës tha se Greqia është e interesuar të rrisë bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar me Kosovën, dhe se vendi tij do të ndjek një qasje konstruktive kundrejt statusit të saj politik.
Ai tha me atë rast se dy vendet kanë bashkëpunim të mirë nëpërmjet zyrave për çështje ekonomike. Greqia është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por ka pranuar pasaportat e saj dhe ka lejuar hapjen e një zyre ekonomike e tregtare të Kosovës në Athinë. Qeveria greke është pajtuar të avancojë statusin e zyrës ekonomike e tregtare të Kosovës në “zyrë të interesit” të Kosovës”, që do të sigurojë trajtimin e çështjeve jo vetëm ekonomike, por edhe në fusha tjera si ato politike.ku diskutuan për rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian, për emigrimin e zhvillime të tjera në nivel global. Kurti takoi edhe ambasadorin amerikan në Greqi Geoffrey Pyatt, ku folën për rëndësinë e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Greqisë për stabilitetin afatgjatë rajonal.
Diskutime rreth kësaj post