Analisti i njohur Fatos Lubonja, e ka konsideruar diçka tepër pozitive që ngroh zemrat e shqiptarëve, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për pezullimin e ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar, si dhe shfuqizimin e ligjit special, që i kalonte truallin Bashkisë Tiranë.
Sipas Lubonjës, ky vendim tregoi se Gjykata Kushtetuese nuk është e kontrolluar nga qeveria, teksa shtoi se njerëz me kurajo, mund të ndryshojnë fatet e shumë njerëzve. Ndër të tjera, Lubonja deklaroi se mënyra me të cilën u shemb Teatri Kombëtar ishte mjaft arrogante, nga ana e qeverisë dhe Bashkisë Tiranë.
Deklarata e Lubonjës:
“Një lajm i mirë është ky. Është një lajm që ngroh pak zemrat e ftohura të njerëzve, që s’kanë besim fare në atë vend. Duhet parë me rezerva, në kuptimin se është një betejë e fituar. Një koment i parë është se pak njerëz me kurajo mund të ndryshojnë fatet e shumë njerëzve në atë vend. Një koment i dytë është se Gjykata Kushtetuese dihet se nuk është e kontrolluar nga pushteti, nga partia shtet, por rezultati që ka dalë 5 me 2 flet edhe për një integritet të atyre gjyqtarëve që i kemi menduar se mund të jenë instrumente të partisë shtet. Pra, jep kurajo, besim te njerëzit, por gjithmonë mbetet frika se kjo është një qelizë e vogël rezistence, ndërkohë që përmbytja që po bën partia shtet në të gjitha institucionet për t’i kapur e kontrolluar vazhdon.
Ne e dimë shumë mirë si u prish teatri. Mënyra si u prish teatri ishte një arrogancë, u bë në një kohë pandemie, kur nuk kishte Gjykatë Kushtetuese, pra u bë në një mënyrë që e shpërfill drejtësinë, sepse thotë që ‘drejtësia jam unë’. Por, nga ana tjetër, këtu hapet një problem për ta. A do të pranojnë strukturat e drejtësisë apo do të fillojnë të përdorin mjetet, që kanë përdorur, për t’i bërë presion, për ta injoruar e neglizhuar drejtësinë. Këtu mbetem skeptik. Por ky lajm tregon se mbetet shpresa, se drejtësia vazhdon të jetojë në ajër,” tha Lubonja.
Diskutime rreth kësaj post