Për Sali Berishën, familja e Aishe Haklajt kërkon vetëm drejtësi dhe jo hakmarrje. Për të hakmarrja është një mjet primitiv, që nuk është në mendjen e familjarëve të saj sot e kësaj dite.
Deklarata e Haklajt:
“Jo, nuk e kanë këtë ide. Fëmijët nuk e kanë këtë ide. Tani po rriten me një frymë tjetër dhe, edhe ne nuk duam që ajo hakmarrja të vazhdojë. Hakmarrja është mesjetare. Mesjetën na e solli Saliu. Ne e kishim harruar hakmarrjen, për 50 vite. Ishim të mbyllur, kishim luftën e klasave, u mor prona, ama nuk kishim hakmarrje. Ekzekutonte shteti, por ne nuk e dinim se kush i ekzekutonte ata njerëz. Pra nuk kishim një urrejtje për njëri-tjetrin. Ne kemi jetuar, familja e Haki Hoxhës, e atij që ka vrarë Shkëlqim Haklajn, ka qenë e persekutuar. Ne kemi qenë në pozicione të ndryshme me familjen e Haki Hoxhës në monizëm.
Ne kemi jetuar në Tropojë dhe kurrë nuk kemi pasur mosmarrëveshje ose kurrë familja Haklaj, e cila ndoshta ka pasur mundësi, nuk i është kundërvënë familjes Hoxha dhe asnjë familjeje që ka qenë, nuk ma nxë goja tani ta them, e deklasuar, se në atë kohë deklasoheshin dhe quheshin të persekutuar. Ata ishin njerëz sikur ne, por ishte regjimi që e bënte një gjë të tillë. Nuk ka një familje tropojane që të thotë dhe të tregojë që ne kemi qenë spiunë, që ne i kemi persekutuar. Ne nuk kemi qenë në krahun e shtetit për t’i shtypur e dhunuar ato. Ne kemi qenë në krahun e tyre. Po. Gjithçka e kërkojmë me drejtësi. Edhe në raport me Berishën. Hakmarrja është primitive. Ne nuk donim dhe nuk duam që mesjeta të ulet këmbëkryq në trojet shqiptare. Jo. Ai e ktheu mesjetën. Ishin mendimet e atij njeriu, ishte koka e atij njeriu që solli mesjetën edhe njëherë në shekullin e 20-të në Shqipëri. Por ne nuk jemi për hakmarrje. Ajo është mesjetare”, rrëfen Aishe Haklaj.
Diskutime rreth kësaj post