Sekretarja e përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal, Majlinda Bregu u shpreh se nga 1 korriku roaming do të jetë zero për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Fol si n’shpi”, nisma e Këshillit Bashkëpunimit Rajonal kurorëzohet këtë të enjte dhe Majlinda Bregu thotë se nuk pret surpriza apo sabotim nga ndonjë vend. Në një intervistë me gazetarin Lutfi Dervishi në emisionin “Përballë”, Bregu tha:
“Më 1 korrik ne fillojmë me tarifa zero në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe këtu nuk ka asnjë surprizë më. Sot ne kemi bërë takimin e fundit me autoritetet rregullatore në rajon për të diskutuar dhe për të kuptuar nëse mund të ketë ndonjë shqetësim për hyrjen në fuqi të plot në mënyrë sinkron në të gjashta ekonomitë e rajonit në 1 korrik të tarifave zero. Nuk kemi dëgjuar asnjë problem madhor nga operatorët e telefonisë celulare dhe që larg qoftë mund të ndodh diçka në momentin e fundit.” – tha ajo.
Sipas zonjës Bregu nisma për roaming zero është histori suksesi dhe nuk do të shkaktojë humbje për kompanitë celulare.
“Kjo është historia e suksesit e cila në datën 1 korrik duhet t’i bëjë të ndjehen mirë të gjithë. Operatorët e telefonisë në fakt duhet thëm që kanë qënë bashkëpunues në këtë proces pavarësisht dilemave dhe përpjekjeve të fillimit. Tashmë janë bindur të gjithë dhe për më tepër, nuk besoj se do të ketë humbje as në faturat dhe në fund të vitit nuk do ta mbyllin biznesin e tyre me humbje për shkak të tarifimit zero në Ballkanin Perëndimor”, – tha Bregu në “Përballë”.
Diskutime rreth kësaj post