“Java Çame” kulmoi me homazhet në Varrezat Monumentale në Kllogjer të Sarandës, ku prehen 2900 shqiptarë të Çamërisë. Mijëra qytetarë shqiptarë, ndër ta edhe nga Kosova e Maqedonia e Veriut, iu bashkuan aktivitetit të organizuar nga Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shoqata “Çamëria” dhe Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini, në përkujtim të 77-vjetorit të gjenocidit grek mbi popullsinë çame, ndërsa u zbulua edhe një pllakatë përkujtimore.
Në këtë Varrezë Monumentale prehen 2900 burra, gra, fëmijë dhe të moshuar të cilët pasi u dëbuan nga tokat e tyre në Çamëri prej bandave të Napoleon Zervës, humbën jetën tragjikisht nga etja, uria dhe sëmundjet, gjatë marshimit drejt Shqipërisë.
Në fjalën e tij, kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi u shpreh se në Shqipëri janë 300 mijë banorë çamë të cilët presin të kthehen në tokat e të parëve të tyre, ndërsa e cilësoi absurd Ligjin e Luftës që Greqia ka ndaj Shqipërisë. Ajo që Greqia nuk e ka bërë ende, shtoi Idrizi, është kërkim ndjesa për gjenocidin ndaj çamëve.
“27 qershori i vitit 1944 ishte një ndër tragjeditë më të mëdha në historinë njerëzore që ndodhi mbi anëtarët e Komunitetit të Shqiptarëve të Çamërisë, vetëm sepse ata ishin shqiptarë. Janë 300 mijë shqiptarë të Çamërisë që ndodhemi këtu me trupin në Shqipëri, me kokën dhe zemrën në Çamëri, pikërisht nga kjo padrejtësi e madhe historike. Sot e kësaj dite genocidi nuk është dënuar. Duam që të kemi fqinjësi të mirë, dy popuj që shkojnë e vijnë. Të kthehemi në trojet tona, por s’mund të vazhdojmë sot të kemi një Ligj Lufte dhe të heshtim për këtë gjë”, u shpreh Idrizi.
Kreu i PDIU deklaroi se kjo forcë politike do të jetë në Kuvendin e Shqipërisë në shtator, për të rikthyer edhe njëherë çështjen çame në institucionet shqiptare si dhe për të shtyrë qeverinë në raport me Athinën, për të drejtat e popullsisë shqiptare të Çamërisë.
“Ne do të jemi në Parlamentin e Shqipërisë, për t’i bërë thirrje dhe për të trimëruar qeverinë shqiptare, institucionet, që mos të jenë të intimiduar sepse kur thashë që genocidi s’është dënuar dhe vazhdojnë të shkelen të drejtat e njeriut, kam parasysh faktin që në mënyrë absurde mbajmë një Ligj Lufte me Greqinë”.-tha ai.
Idrizi vërejti gjithashtu se pasojat e spastrimit etnik dhe gjenocidit vazhdojnë akoma mbi pasardhësit e atyre që u dëbuan nga trojet e tyre 77 vjet më parë, pasi Greqia nuk i lejon as të vizitojnë tokat dhe shtëpitë e gjyshërve.
“Kjo masakër, torturë, spastrim etnik, ishte nga më të egërit në historinë botërore, një masakër me përmasa të tilla e cila vazhdon të kryejë efektet e saj mbi ne shqiptarët e Çamërisë, sepse babai im nuk mundet sot akoma të shkojë e të trashëgojë në Çamëri pikërisht ato që i takonin, e drejta e jetës, e pronës, e drejta për të qenë shtetas, as unë e as im bir nuk e ka të drejtën për të trashëguar pikërisht trashëgimitë familjare që na takojnë ne, sepse shqiptarëve të Çamërisë i është prerë e drejta e jetës. Pasojat e saj vazhdojnë të jenë prezente edhe sot”, tha mes të tjerash Idrizi.
Hekuran Halili, themelues i shoqatës patriotike Çamëria tha se çamët u vranë dhe u masakruan vetëm se ishin shqiptarë dhe nuk pranuan të deklarohen si grekë, apo të ndërronin fenë.
Kreu i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu tha se ky pelegrinazh forcon amanetin e të parëve për Çamërinë, duke shtuar se çamët janë i vetmi popull në botë që nuk viziton dot varret e të parëve në tokat e tyre.
Vitin e ardhshëm në Varrezat Monumentale të Kllogjerit do të çelet edhe një ekspozitë e cila do të rrëfejë kulturën dhe historinë e Çamërisë, për ta kthyer kështu këtë vend në një destinacion historik, kulturor dhe patriotik për të gjithë shqiptarët që do të kalojnë aty. “Java Çame” kulmoi edhe në Shkup e Prishtinë me aktivitete të shumëllojshme në përkujtim të 77-vjetorit të gjenocidit grek mbi popullsinë çame.
Diskutime rreth kësaj post