Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken paralajmëroi të premten se mosarritja e një marrëveshjeje të përkohëshme për të mbikqyrur programin bërthamor të Iranit mund të bëhet shkak që SHBA të braktisë përpjekjet për të ringjallur marrëveshjen bërthamore.
“Do shohim nëse mund të gjejmë rrugën e përbashkët për këto mospajtime reale. Por duhet të përpiqemi dhe ta ngushtojmë hendekun,” tha shefi i diplomacisë amerikane në një konferencë për shtyp në Paris pas takimit me homologun francez, Jean Yves Le Drian. “Do t’ju them se kur bëhet fjalë për Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, programi bërthamor përbën shqetësim serioz, gjë që ia kemi bërë të qartë Iranit dhe që duhet zgjidhur”.
Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike tha se një marrëveshje tre mujore për mbikqyrje të përkohëshme të programit iranian, e arritur më 21 shkurt skadoi të enjten, pasi ishte shtyrë për një muaj. Agjencia tha se po negocion me Teheranin për një zgjatje të dytë të marrëveshjes.
Sekretari Blinken, i cili ndodhet në Paris në kuadër të turneut të tij në tre vende evropiane, pohoi më parë të premten se SHBA mund të vendosin të mos rikthehen në marrëveshje nëse negociatat e Vjenës nuk shënojnë përparim.
“Do të vijë momenti kur do të jetë e vështirë të kthehemi në standardet e përcaktuara nga Plani i Përbashkët për Veprim,” tha ai duke iu referuar marrëveshjes së 2015 që synonte të pengonte aktivitetin e Iranit për pasurimin e uraniumit, në shkëmbim për lehtësimin e sanksioneve perëndimore.
Palët në negociata kanë zhvilluar negociata prej gjashtë javësh dhe përmbyllën të shtunën një raund bisedimesh jo të drejtpërdrejta por pa gjetur zgjidhje për mospatimet madhore. Ministri i Jashtëm francez Jean Yves Le Drian u bëri jehonë paralajmërimeve të zotit Blinken, duke u thënë gazetarëve se i takon Iranit të mundësojë avancimin e bisedimeve.
“Kanë kaluar gjashtë javë që kur rifilluan bisedimet. Është arritur një farë përparimi dhe tani po hyjmë në fazën më të vështirë që kërkon vendime të forta e të guximshme nga ana e autoriteteve të Iranit. Tani është momenti,” tha zoti Le Drian.
Të premten në darkë zoti Blinken u takua me Presidentin e Francës, Emmanual Macron. Sekretari amerikan i Shtetit mbërriti në Francë pas vizitës në Gjermani, ku të enjten ai dhe udhëheqja gjermane thanë se po bashkojnë forcat për t’iu kundërvënë anti-semitizmit dhe teorive që nuk pranojnë se Holokausti ndodhi në realitet. Sekretari i Shtetit tha se këto përpjekje do të garantojnë “se brezat e tanishëm dhe të ardhshëm do të mësojnë se çfarë ndodhi gjatë Holokaustit dhe do të nxjerrin mësime nga këto ngjarje”.
Në Berlin, gjatë vizitës në përmendoren për hebrenjtë e vrarë në Evropë, zoti Blinken tha se anti-semitët dhe ata që mohojnë ekzistencën e Holokaustit kanë shumë të përbashkëta me individë që përqafojnë homofobinë, ksenofobinë, racizmin dhe forma të tjera diskriminimi dhe janë bërë “kushtrimi që mbledh ata që duan të rrëzojnë demokracitë tona”.
Diskutime rreth kësaj post