Avokati Spartak Ngjela ditën e djeshme gjatë një interviste deklaroi se presidenti Ilir Meta është në një rrezik të madh. Ngjela u shpreh se presidenti ka disa shkelje të cilat bëhen akoma edhe më negative, duke shtuar edhe sulmet ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas avokatit, goditjet ndaj SHBA janë bërë për shkak të influencës ruse dhe ky veprim sipas tij, e bën atë akoma edhe më të rrezikuar.
“Meta ka disa shkelje dhe ata marrin vlerë të madhe negative pasi ai ka goditur SHBA nëpërmjet Rusisë, ky akt jep motiv shumë të rrezikshëm. Meta është në një rrezik shumë të madh”, tha Ngjela.
Ai po ashtu u ndal edhe tek zhvillimet e fundit lidhur me Gjykatën Kushtetuese, ku u shpreh se kryetarja e Bashkisë së Shkodrës nuk merr vesh shumë mirë nga ligjet. Ai tha për shkak të frikës së reformës në drejtësi, është kërkuar destabilizim i vendit. Sipas Ngjelës, nëse fiton Shoqata e Bashkisë do të bëhen zgjedhjet vendore pasi është Venecia ajo që do të vendosë.
“Gjykata Kushtetuese quan shkeljen e presidentit pasi nuk mund ta zhvendosë ai datën e zgjedhjeve. Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës nuk merr vesh nga ligjet, mua do më tregosh se cilin ligj ka shkelur mazhoranca që ka zhvilluar ligjet. Ata që kërkonin ata ishte destabilizimi i Shqipërisë shkak i frikës së reformës në drejtësi. Të dëmtuar nga kjo është Shqipëria, analiza ime është politike. Në qoftë se fiton Shoqata e Bashkisë do bëhen zgjedhjet vendore, është Venecia ajo që do të vendosë pasi Kushtetuesja tani është e ndërvarur nga Venecia”, tha ai. Ndërkohë lidhur me zhvillimet e fundit nga Partia Demokratike, sipas avokatit PD është kthyer në një parti provinciale pasi përfaqësohet nga njerëz me komplekse të brendshme.
“Partia Demokratike është kthyer provinciale pasi janë njerëz me komplekse të brendshme. Pushtet nuk kanë, por kanë pasion”, tha Ngjela.
Më tej avokat Spartak Ngjela ka paralajmëruar valë arrestimesh në korrik. Përmes një statusi në rrjetet sociale, mbrëmjen e djeshme, avokat Ngjela theksoi se po troket ora e drejtësisë, ndërsa shtoi se fakti që SHBA kanë prova për të korruptuarit shqiptarë, sikundër është ish-kryeministri Sali Berisha, sipas tij, tregon se po lind një epokë e re në vendin tonë.
“Fakti që u përshpejtua dërgimi në Kongresin Amerikan të materialit non grata të Sali Berishës dhe të familjes së tij, kuptohet se materialet sekrete të mbledhura kundër korrupsionit të lartë shtetëror në Shqipëri, pasi të bëhen të hapura përpara Kongresit, do të bëhen të qarta e publike edhe përpara opinionit publik shqiptar. E themi këtë, sepse, asnjë material i paraqitur përpara Kongresit në Uashington, kur procedohet për daljen e një ligji të posaçëm, nuk mund të jetë sekret. Prandaj, gjatë muajit korrik të këtij viti, shqiptarët do të kenë mundësinë të njihen realisht me bëmat kriminale të korrupsionit të lartë shtetëror në Shqipëri. Pas kësaj, mendoj se, për vetë Shqipërinë dhe shqiptarët, do të fillojë një epokë e re”, nënvizoi Ngjela.
Diskutime rreth kësaj post