Kryetarja e KLGJ Naureda Llagami ka konfirmuar se në fillim të korrikut do të plotësohet me 10 anëtarë Gjykata e Lartë. Gazeta “SOT” me numrin e djeshëm e paralajmëroi një gjë të tillë dhe tashmë është zyrtare që në korrik gjykata e lartë do të ketë kuorumin e mjaftueshëm për të zgjedhur anëtarët e fundit të Gjykatës Kushtetuese. Llagami deklaroi se Këshilli i Lartë Gjyqësor është duke bërë vlerësimet e tij lidhur me kandidaturat dhe brenda korrikut do të bëhen propozimet për 3 anëtarë në Gjykatën e Lartë. Sipas saj, më pas do të mundësohet edhe zgjedhja e 3 anëtarëve për Gjykatën Kushtetuese.
“Këshilli po mundohet të jetë i kujdesshëm për vakancat që plotëson, kemi dashur të kujdesimi për funksionalitetin e një gjykata dhe aktualisht Gjykata e Lartë do të bëhet me 10 anëtarë. KLGJ po vlerëson kandidaturat dhe brenda korrikut do të propozojmë 3 gjyqtarët në Gjykatën e Lartë në mënyrë që të zhbllokojmë situatën me 10 gjyqtarë dhe me pas të do të bëhet e mundur edhe zgjedhja e 3 anëtarëve të saj për Kushtetuesen”, tha Llagami.
Kreu i KLGJ u ndal edhe tek vendet vakante që ka krijuar vetingu. Llagami tha se është detyra e KLGJ për të organizuar të gjitha gjykatat dhe për të qenë më eficent me burimet njerëzore. Sipas saj situata e vakancave nga Vettingu pritej që nga momenti që u krijua puna për hartën gjyqësore.
“KLGJ ka detyrimin për të organizuar të gjithë gjykatat për të qenë më eficent me burimet njerëzore dhe të ketë sa më pak kosto. Sot sistemi vuan edhe nga vakancat që ka krijuar Vettingu. KLGJ këtë situatë e kishte të qartë që do ndodhte dhe që në momentin që u ngrit krijoi grupin e punës për të krijuar hartën gjyqësore për të pasur një drejtësi eficent. Për shqyrtimin e çështjeve urgjente ne delegojmë në gjithë Shqipërinë. Për 2020 kemi deleguar 820 gjyqtarë, dhe kjo ka kosto financiare dhe për më tepër ai gjyqtar që delegohet lë çështjet e veta dhe merret me të tjerat ku delegohet”, tha ajo.
Llagami po ashtu u ndal edhe tek sistemi gjyqësor për të cilin u shpreh se sot është në një gjendje kritike dhe në një sfidë të madhe për gjykimin e çështjeve. Kreu i KLGJ tha se pjesa e delegimeve është problematike dhe po përkeqësohet sa i përket kostove. Sipas saj, ata që janë pezulluar nga Vettingu paguhen me 75 % të rrogës, por nuk japin shërbimin tek qytetarët.
“Sistemi është në gjendje kritike, sot kam një sfidë shumë të madhe, qytetarët nuk e dinë se kur do u gjykohet çështja. Pjesa e delegimeve është problematike dhe po mundohemi ta menaxhojmë, por situata po përkeqësohet, sistemi ka shumë kosto dhe për këto kosto nuk e ofron atë shërbim. Ata që janë pezulluar nga Vettingu paguhen me 75 % të rrogës, por nuk japin shërbim. Pra shteti paguan, por qytetari nuk merr shërbim”, tha Llagami.
Diskutime rreth kësaj post