Drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi, u përball dje me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Gjatë seancës dëgjimore, ndaj tij u evidentuan gjetjet e hetimit administrativ në të tre kriteret e rivlerësimit. Trupi gjykues për prokurorin Ajazi përbëhej nga Roland Ilia, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Genta Tafa Bungon. Gjatë seancës dëgjimore, prokurorit nuk u evidentuan probleme domethënëse për pasurinë dhe pastërtinë e figurës, ndërkohë që prokurori Ajazi u pyet dhe dha shpjegime për disa çështje të hetuara prej tij.
Komisioni nuk gjeti probleme në disa llogari rrjedhëse të deklaruara prej Ajazit, si dhe për dy depozita një në shumën 50 mijë lekë të hapur në emër të tij nga e ëma në vitin 1997 si dhe një depozitë tjetër pa afat në shumën 17 500 euro. Për këtë të fundit, Ajazi ka deklaruar si burime krijimi kursimet në cash nga viti 2007 e në vijim. Relatorja Bekteshi tha se për shkak se Ajazi figuron në të njëjtën certifikatë familjare me prindërit dhe vëllanë, në analizën financiare për periudhën 2009-2016 janë përfshirë të ardhurat dhe shpenzimet e përbashkëta, prej nga ka rezultuar se subjekti ka pasur mundësi të kursejë shumën e depozituar.
Ndërkohë, prokurori Ajazi është pyetur lidhur me kërkesën për lehtësimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “detyrim paraqitje” për shtetasit S.M. dhe A.M., të ndaluar pasi në pronën e tyre është gjetur një armë me të cilën ishte kryer një vrasje. Relatorja vërejti se vetë Prokuroria i cilësonte këta persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe njëri kishte rezultuar me precedentë penalë të mëparshëm. Prokurori solli në vëmendje se çështja është ende në hetim dhe për këtë arsye, nuk mund të jepte shpjegime të hollësishme. Ajazi deklaroi se kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë kishte ardhur pasi ishte kryer një analizë e rrethanave të ngjarjes.
Diskutime rreth kësaj post