Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në bashkëpunim me Zyrën Tejoqeanike të Zhvillimit, Asistencës dhe Trajnimit Prokurorial (OPDAT), organizuan sot, në qytetin e Durrësit, një trajnim mbi Kodin e Etikës së Prokurorit dhe standardet më të mira ndërkombëtare, që udhëzojnë sjelljen etike të tij, gjatë dhe jashtë ushtrimit të funksionit.
Në këtë aktivitet morën pjesë anëtarë të Këshillit, këshilltarë ligjorë dhe ekspertë nga misionet OPDAT dhe EURALIUS.Kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi, falenderoi zyrën e OPDAT dhe veçanërisht këshilltaren ligjore pranë këtij misioni Michelle Lacomy, për mbështetjen e saj në hartimin e Kodit të Etikës së Prokurorit. Synimi i këtij aktiviteti ishte fuqizimi i kapaciteteve të KLP-së, pasi, në këtë mënyrë, Këshilli synon të përcaktojë standardet e etikës dhe rregullat e sjelljes së prokurorëve.
Gjatë diskutimeve u theksua se, Kodi i Etikës së Prokurorit synon të garantojë rritjen dhe forcimin e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë dhe dhënien e drejtësisë në përputhje me Kushtetutën, standardet e njohura ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe ligjin. Standardet e etikës dhe rregullat e sjelljes të prokurorit janë tërësia e parimeve, normave dhe rregullave, të cilat udhëheqin sjelljen e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës dhe në veprimtarinë e tij jashtë funksionit.
Diskutuesit e vunë theksin tek konkluzioni i përbashkët, se prokurori duhet të ruajë dhe zbatojë standarde të larta të sjelljes, sikundër dhe duhet t’i respektojë, pikësëpari, vetë ato (standarde), në mënyrë që të ruajë më mirë integritetin dhe pavarësinë e tij, në ushtrim të detyrës. Kodi synon të krijojë, ruajë dhe forcojë rregullat e sjelljes, si dhe të rrisë efikasitetin e të gjithë prokurorëve në ushtrimin e funksioneve kushtetuese dhe ligjore, për llogari të shoqërisë, në interes të publikut dhe në emër të shtetit, si pjesë e sistemit të drejtësisë penale dhe shtetit të së drejtës.
Rregullat përkrahin zbatimin e standardeve të larta të sjelljes profesionale të prokurorëve të gjithë niveleve, në përshtatje me sjelljen e duhur në zyrë, në prokurori, gjykatë dhe jashtë këtyre ambienteve, si edhe për forcimin e dinjitetit, pavarësisë dhe integritetit profesional e personal të tyre.
Ato shërbejnë si udhëzues për të gjithë prokurorët dhe kandidatët për prokurorë në vend, për të rritur ndërgjegjësimin, përgjegjshmërinë dhe efikasitetin e tyre në ushtrimin e funksionit si dhe plotësojnë kuadrin e akteve normative, të nxjerra për prokurorët, me synim rritjen e transparencës dhe besimit të publikut ndaj tyre.
Miratimi i Kodit të Etikës dhe caktimi në detyrë të Këshilltarit të Etikës janë prioritete të KLP-së për muajt në vijim. Trajnimet e përbashkëta midis KLP-së dhe zyrës së OPDAT-it ndihmojnë dhe mbështesin forcimin e kapaciteteve institucionale për rritjen e efikasitetit dhe eficencës së sistemit të prokurorisë në vend, në kuadrin e reformës në drejtësi.
Diskutime rreth kësaj post