Analisti Frrok Çupi ka komentuar dje zhvillimet më të fundit politike në vend, ndërsa e ka ndalur theksin tek vendimi i Gjykatës Kushtetuese për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias sa i takon ligjshmërisë ose jo të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit të vitit 2019.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, analisti i njohur e cilësoi ditën e djeshme absurd vendimin e Kushtetuese për t’i marrë opinion Komisionit të Venecias për 30 qershorin, ndërsa theksoi se kjo gjykatë ka tagrin të vendosë në kësisoj rastesh dhe nuk është nevoja për të trokitur në organizma të tjera, pasi sipas tij, vendi nuk është në luftë. Madje, zoti Çupi renditi edhe arsyet që sipas tij i bëjnë zgjedhjet vendore të 30 qershorit të vitit 2019 si legjitime.
“Dje nisëm për në botë pakon e fundit: Gjykata Kushtetuese vendosi që të dërgojë në “Komisionin e Venecias” çështjen gjyqësore të zgjedhjeve lokale të vitit 2019, 30 qershor. Atëherë u zhvilluan zgjedhjet rregullisht, por pa pjesëmarrjen e PD dhe LSI, të cilat nuk deshën të merrnin pjesë në zgjedhje. Sapo u afrua dita e dekretuar nga presidenti (30 qershor), bash atëherë presidenti ndërroi mendje dhe tha se “anuloj dekretin”. Sipas Kushtetutës, ai mund ta bënte këtë akt veç nëse vendi do të ishte nën “një krizë të rëndë, ose nën pushtim”. Atëherë vendi nuk ishte nën pushtim dhe presidenti theu ligjin, ndërsa tani duket si të jetë gjendje pushtimi. A nuk e nxori jashtë juridiksionit Gjykata Kushtetuese “pasurinë” e vet; njësoj si të largonte zahiretë nga helmimi i “tanëve”? Gjykata Kushtetuese, në kushte jo lufte, i merr vendimet për çështje të Shqipërisë, jo dikush tjetër jashtë juridiksionit”, – shkruan ai.
Më tej analisti Çupi komentoi edhe komisionet hetimore “Meta”. “Presidenti mund ta kishte helmuar me minj gjithë ujin e kështjellës, por mbajtësit e sovranitetit të popullit nuk mund të kishin bërë asgjë. Pa fjalën e Venecias nuk mund të ruante “steret e ujit”. Prapë në fillim të këtij muaji: Parlamenti ndërtoi një raport dhe vendim tjetër që kërkon shkarkimin e Presidentit. Por shumë zëra po thërrasin se “ta çojmë në Venecia””, – nënvizoi analisti Frrok Çupi.
Diskutime rreth kësaj post