Anëtari i Kryesisë së PD-së, Fatbardh Kadilli u shpreh sot në emisionin ‘7 pa 5’ që edhe pse doli i humbur nga zgjedhjet e 13 qershorit, do të vijojë betejën e tij për shndërrimin e partisë.
Sipas Kadillit, PD-ja duhet të kthehet në një parti antikorrupsion. Ai zbuloi edhe se nuk e ka uruar Lulzim Bashën për fitoren, për faktin se ishte një garë e pabarabartë.
“Pavarësisht rezultatit në 13 qershor, sfidë kam shndërrimin e PD në një parti demokratike me vlera. Nuk duam një parti të krijuar 30 vjet më parë si partia e antikomunizmit, sot duam partinë e antikorrupsiuonit. Për të uruar, nuk e kam uruar, nuk e uroj sepse nuk e quaj garë të barabartë. Pabarazia në garë është një gjë që unë e njihja. Më i rëndësishëm se rezultati ishte sfida për të legjitimuar mendimin politik. Asnjë demokrat nuk mund të thotë se nuk kishte asnjë mundësi zgjedhjeje. E humbën shansin që këto të ishin zgjedhje me standardet më të larta, por arritëm të krijojmë një send të ri gare.”, – u shpreh Kadilli.
Që të arrijë transformimin e PD-së, por edhe të mënyrës sesi bëhet politikë, Fatbardh Kadilli renditi një sërë propozimesh:
“Përveç ndryshimeve statuore, duhet të flasim që sot për një Kushtetutë të re, të balancuar për një Kod Zgjedhor. Për një ndarje të re administrative territoriale të vendit që u shërben qytetarëve dhe për reformën në drejtësi. Nuk mund ta lëmë reformën në drejtësi si një mall që i përket tjetërkujt, ne nuk e dizenjuam vetë, por duhet ta ushqejmë me moral. Nuk ka aleat më të mirë për opozitën sesa drejtësia që ndëshkon korrupsionin.”, – tha Kadilli.
Diskutime rreth kësaj post