Ish-Ministri i Ekonomisë, Arben Malaj ka komentuar deklaratat e fundit të Berishës, i cili ka lënë të hapur mundësinë e rikthimit në krye të PD. Malaj tha se rikthimi i Sali Berishës sërish në krye të kësaj partie, do t’i shkaktonte asaj një dëm të jashtëzakonshëm.
I ftuar në “5 Pyetjet nga Babaramo”, Malaj tha se është në të mirë të Berishës, PD-së, por edhe demokracisë në vend që ish-kryeministri të hapi rrugën.
“Për mua është në të mirë të Berishës, PD dhe demokracisë në Shqipëri që Sali Berisha dhe një sërë liderësh të këtij formati, të hapin rrugën. Nëse Berisha do të kundërpërgjigjet me një influencë në rritje në PD, dëmi që do i bëjë asaj partie do të jetë i jashtëzakonshëm. Sfida e Berishës me DASH nuk është ligjor, është moral”, tha ai.
Për vendimin e Kuvendit për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, Malaj u shpreh se ai duhej të ishte figura amortizuese e konfliktit politik në vend dhe se do të duhej të kishte qenë më paqëtues në daljet e tij publike.
“Presidenti Meta duhej të ishte figura amortizuese e këtij konflikti, Presidenti duhej të ishte brenda një kuadri më paqëtues në të gjitha daljet tij publike, pavarësisht nëse ka apo jo të drejtë”, shtoi Malaj.
Ish-ministri u ndal edhe te prerja e re 10.000 mijë lekë, që vjen për herë të parë në tregun shqiptar, por që ka ngjallur një sërë debatesh. Malaj sqaroi se kjo prerje është hedhur në treg për të lehtësuar qarkullimin monetar, duke theksuar se nuk do të ndikojë në rritjen e çmimeve.
“Ajo që kanë parë më shumë ekspertë është që a ndikon një prerje më e madhe e monedhës në lehtësimin e korrupsionit apo në daljen jashtë të parasë. Është hapur edhe në BE për kartëmonedhën 500 euro. Propozimi ka ardhur nga strukturat kundër krimit ekonomik. Nëse ne do ta kushtëzonim luftën kundër korrupsionit thjesht nga madhësia e prerjes së kartëmonedhës, i bie që ne të lëvizim vetëm me kartëmonedha sa më të vogla, apo me xhetona. Nuk sjellë rritje çmimesh. Nuk ka mundësi një prerje të tronditë çmimet. Është bërë me idenë që lehtëson qarkullimin monetar. Banka Qendrore duhet të bëjë kujdes që rritja e ofertës monetare të shoqërohet me rritej ekonomike ose rrezikon elementë të inflacionit”, theksoi Malaj.
Diskutime rreth kësaj post