Partia Demokratike ka reaguar pasi kandidati për deputet i partisë së Tom Doshit, PSD-së, Serdar Hoxha është emëruar si kryeinspektor në IKMT Shkodër. Deputeti i zgjedhur Enkelejd Alibeaj përmes një deklarate për shtyp, u shpreh se sot u zyrtarizua aleanca e masakrës zgjedhore Rama-Doshi, siç e quan ai.
“Ushtari i Tom Doshit ka akoma në prokurori një dosje të paverifikuar për të shkuarën e tij kriminale, por kjo nuk e ka penguar qeverinë ta emërojë atë në një detyrë të rëndësishme,” deklaroi mes të tjerash demokrati.
Deklarata e plotë:
“Aleanca mes Edi Ramës dhe Tom Doshit është zyrtarizuar sot me një emërim kyç kriminal në Shkodër.
Serdar Hoxha, kandidati për deputet i PSD-së së Tom Doshit u emërua kryeinspektor për Veriun në Inspektoriatin e Ndërtimit, një funksion në varësi të qeverisë së drejtuar nga Edi Rama.
Ushtari i Tom Doshit ka akoma në prokurori një dosje të paverifikuar për të shkuarën e tij kriminale, por kjo nuk e ka penguar qeverinë ta emërojë atë në një detyrë të rëndësishme .
Me emërimin e sotëm, Edi Rama ka konfirmuar zyrtarisht koalicionin me personin që SHBA e shpallën non grata për shkak të së kaluarës së tij kriminale, dhunimin e të drejtave të njeriut dhe përfshirjen në korrupsion.
Mediat mund t’i kujtojnë shqiptarëve deklaratën e Edi Ramës para zgjedhjeve se nuk do të qeveriste me Tom Doshin. Sot të gjithë e kanë të qartë se kjo ishte pjesë e lojës së pistë të Edi Ramës për të mashtruar publikun dhe partnerët.
Aleanca e tyre nuk është ndalur asnjëherë.
Tom Doshi ka përfituar miliona euro nga qeveria e Edi Ramës, për t’i përdorur ato për blerjen e votave në masakrën e zgjedhjeve të 25 Prillit. 3 mandatet e blera janë mandate në shërbim të Edi Ramës, janë garanci për të vazhduar ndarjen e pushtetit të vjedhur dhe për të thelluar më shumë zhvatjen e shqiptarëve.
Qytetarët janë të ndërgjegjshëm se Edi Rama dhe Tom Doshi janë një.
Partia Socialdemokrate është vetëm një zgjatim i Edi Ramës për të mbajtur të paprekur aleancën me Tom Doshin, si dhe kopertura e paktit kriminal Rama-Doshi për masakrën zgjedhore të 25 Prillit.
Emërimi i njerezve të Tom Doshit në qeverisjen e vendit është një nga treguesit se nën drejtimin e Edi Ramës, interesat e shqiptarëve mbeten të pambrojtura!”-shkruan Alibeaj.
Diskutime rreth kësaj post