Ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grlic Radman, ka deklaruar sot për mediat kroate se Kroacia po punon për të ndihmuar Kosovën që të njihet dhe nga anëtarët e fundit të BE-së.
“Do jemi në krah të Kosovës që të njihet edhe nga pesë vendet që nuk e njohin ende”.
Grlic Radman deklaroi se Kroacia inkurajon pesë anëtarët BE-së, Qipron, Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën ta njohin Kosovën pasi kjo do kontribuonte në stabilizimin e rajonit dhe vetë Kosovës.
Deklaratat e ministrit të Jashtëm Kroat janë bërë në konferencën ndërkombëtare GLOBSEC në Bratislavë, ku në axhendë diskutohet edhe për situatën në Ballkanin Perëndimor.
Ministri kroat u shpreh se për stabilizimin e rajonit, thelbësore janë 3 kushte, respektimi i integritetit territorial të shteteve, barazia kushtetuese e boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve në Bosnje e Hercegovinë dhe vendosja e besimit të ndërsjellë pas luftërave të viteve 1990.
“Integriteti territorial i vendeve të Ballkanit duhet të ruhet dhe respektohet. Pa rivendosur kufijtë, siç kemi dëgjuar muajt e fundit duke qarkulluar disa non-papers të famshëm që ishin drejtuar në atë drejtim”, tha Grliç Radman.
Kosova e shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe deri më tani njihet nga mbi 100 shtete duke përfshirë të gjitha shtetet anëtare të BE-së përveç Qipros, Greqisë, Rumanisë, Spanjës dhe Slovakisë. Një ditë më parë në Bruksel u takuan Presidenti serb Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Kurti. Nga SHBA dhe BE aktualisht po punohet me qeverinë e Serbisë që dhe kjo e fundit të njohë përfundimisht Kosovën.
Diskutime rreth kësaj post