Partia Demokratike do të zhvillojë ditën e nesërme zgjedhjet për kryetarin e ri të Partisë, ku përballë Lulzim Bashës garojnë Agron Shehaj, Edith Harxhi dhe Fatbardh Kadilli.
Një nga themeluesit e PD-së, Zenel Hoxha, në një postim në rrjetet sociale i bën thirrje kryedemokratit Basha që të dalë dhe të sqarojë akuzat ndaj tij, nëse është apo jo i sanksionuar nga SHBA.
Ai thotë se Basha duhet të mbajë edhe një qëndrim të qartë politik për të gjitha zhvillimet dhe masat e fundit të ndërmarra nga SHBA që prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë Shqipërinë.
Postimi i plotë i Zenel Hoxhës:
“A ËSHTË LULZIM BASHA I SANKSIONUAR NGA SHBA?
Urdhri Ekzekutiv i Presidentit Biden për bllokimin e pasurive dhe pezullimin e hyrjes në SHBA të personave që kontribuojnë në destabilizimin e vendeve të Ballkanit është sinjali më i fortë që vjen për përkushtimin e Uashingtonit në avancimin e demokracisë dhe në luftën kundër korrupsionit në rajonin tonë.
Përpara vendosmërisë amerikane që po materializohet me hapa dhe vendime të prekshme, është e domosdoshme që demokratët shqiptarë të kenë përgjigje konkrete për një nga çështjet më ekzistenciale për identitetin e Partisë Demokratike, por edhe për ardhmërinë politike të vendit.
Lulzim Basha e ka përgjegjësi adresimin e zërave dhe dhënien e përgjigjes kundrejt akuzave se ndaj tij ka sanksione nga autorietetet amerikane, ende të padeklaruara publikisht, që ia pamundësojnë hyrjen në SHBA.
Lulzim Basha e ka për detyrë të mos fshehë më kokën si struci dhe të bëjë transparencë. Përse këilltarët e tij shqiptarë dhe të huaj kanë bërë përpjekje të njëpasnjëshme, gati të dëshpëruara, për t’i garantuar atij ftesa nga organizata të ndryshme amerikane në tre vitet e fundit? Përse, pavarësisht këtyre përpjekjeve, ai nuk ka ende asnjë vizitë, qoftë zyrtare, qoftë informale në Shtetet e Bashkuara?
Në të njëjtën kohë, Lulzim Basha i ka borxh demokratëve mbajtjen e një qëndrimi të qartë politik për të gjitha zhvillimet dhe masat e fundit të ndërmarra nga SHBA që prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë Shqipërinë. Nga cila anë është ai dhe çfarë garancie mund të japë që nuk është nga ana e gabuar e historisë?
Derisa këto pyetje të marrin përgjigje, do të ishte absurde vazhdimi i farsës elektorale brenda PD-së. Vazhdimi i procesit aktual do të ishte goditje fatale për Partinë Demokratike nëse fitues shpallet dikush i implikuar dhe i sanksionuar nga autoritetet amerikane.
Ftoj të gjithë kandidatët për drejtimin e PD-së që të bashkohen në këtë thirrje publike për transparencë dhe të kërkojnë shtyrjen e zgjedhjeve deri sa Lulzim Basha të japë përgjigje për këto pyetje që shqetësojnë çdo demokrat.”, ka shkruar ai.
Diskutime rreth kësaj post