Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka komentuar qëndrimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përballë dialogut me Serbinë. Në seancën e sotme plenare në Kuvendin e Kosovës, Haradinaj ka ngritur pyetjen se “përse kryeministri Kurti po i fshihet Amerikës” dhe nuk u kërkon që të caktojnë një të ngarkuar Special për njohjen reciproke.
“Pse kryeministri ynë po ikë e po i fshihet Amerikës? Është e habitshme kur kryeministri i lajmëron marrëveshjet e mëhershme dhe thotë se krejt çka ka mbet është njohja reciproke. Pse kryeministri i Kosovës nuk i drejtohet presidentit të Amerikës – me i kërku një të ngarkuar special, një emisar special, për njohjen reciproke?”, është shprehur Ramush Haradinaj.
Sipas Haradinajt, një shqiptar “nuk ka arsye që të frikësohet” prej presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.
“Pse nuk po guxojmë t’i kërkojmë Amerikës rolin e vet që i takon në këtë çështje duke e ditë se çështjet e mëdha nuk kryhen pa Amerikën? Duhet të mendojmë të gjithë pse nuk po i shkruajmë për çështjen e statusit final? Nëse ne frikësohemi prej këtij presidenti të amerikës, si do të presim prej një presidenti të ardhshëm. Nuk besoj që një shqiptar ka arsye me u frikësu prej presidentit Biden. Pse? Pse? Pse? Ka diçka që jep pikëpyetje”, tha Haradinaj.
Diskutime rreth kësaj post