Partia Demokratike kundërshtoi si antidemokratik dhe antikushtetues vendimin e parlamentit për t’u mohuar gazetarëve informim dhe raportim të lirë nga Kuvendi i Shqipërisë. Ish-Kryetarja e Komisionit të Medias, Albana Vokshi, e konsideroi si antikushtetues dhe dhumim të fjalës së lirë vendimin që ndalon gazetarët të hyjnë lirisht në parlament dhe të raportojnë lirisht për punën e deputetëve.
Fjalimi i Vokshit:
“Pa fjalë të lirë, nuk mund të ketë votë të lirë, nuk ekziston as shoqëria e lirë. Në këtë drejtim, vendi ynë vazhdon të bëjë hapa mbrapa me ritme alarmante. Me nje vendim antidemokratik, media ndalohet të marrë pjesë në komisionet parlamentare, aty ku diskutohen ligjet, ndalohet të pyesë deputetët, ndalohet të jetë aty ku ngjarja ndodh. Në vend të informimit të plotë të publikut, gazetarët urdhërohen të komunikojnë me publikun vetëm përmes pamjeve të regjisë së centralizuar të kuvendit. Vebdimi antidemokratik, antikushtetues, i detyron gazetarët të qendrojnë të izoluar në një dhomë, të rrethuar nga Garda e pushtetit.
Vendimi që pengon gazetarët në punën e tyre të informimit me transparencë dhe paanësi të publikut, i pari i këtij dimensioni pas 30 vitesh parlamentarizëm, është marrë në mungesë të plotë transparence nga parlamenti monopartiak me opozitën e emëruar.
Vendimi antidemokratik, nuk është konsultuar me shoqatat dhe grupet e gazetarëve dhe e përsëris me shumë shqetësim, është, në shkelje te të drejtave Kushtetuese për informim, kuadrit ligjor, konventave ndërkombëtare, si dhe vetë frymës se transparencës dhe hapjes me mediat që përcjell ndër vite Rregullorja e Kuvendit.
Bunkerizimi i Kuvendit, njësoj si bunkerizimi i qeverisë së Ramës përmes ERTV-së, ka vetëm një fjalë për t’u përshkruar- Censurë.
Në gjuhën e perëndimit, ku liria e medias është themeli i zhvillimit të shoqërisë, kjo do të thotë se kryeministri, kryetari i Kuvendit dhe kushdo që u shërben atyre për të censuruar mediat, janë armiq publikë!
Ndalimi i gazetarëve për të raportuar lirisht nga Kuvendi i Shqipërisë është vendimi antikushtetues. Partia Demokratike do të jetë në krah të mediave për ta zhbërë këtë vendim, që cënon të drejtën kushtetuese për informim.
Kuvendi i Shqipërisë është zemra e një demokracie. Nga zgjedhjet e 25 prillit, ne kemi një deformim të rëndë të këtij organi jetik, por ai do të pushojë së rrahuri plotësisht, nëse media detyrohet të shohë me sytë e pushtetit dhe të flasë me gojën e një pushteti të vjedhur!”- u shpreh zonja Vokshi.
Ajo i bëri këto komente në hapjen e konferencës dyditore për fushatën zgjedhore dhe komunikimin që LDGSH po e organizon në bashkëpunim me fondacionin suedez “Jarl Hjalmarson Foundation” i Partise simotër Moderata. Albana Vokshi është kryetare e LDGSH-së. Organizata partnere e PD, me rreth 10 mijë anëtare të reja, që ka bërë riorganizimin para zgjedhjeve me synim shndërrimin e saj në një strukturë elektorale, që forcon zërin dhe rolin e grave në politikë.
Diskutime rreth kësaj post