Pas vendimit të KAS për të refuzuar përsëritjen e zgjedhjeve të 25 prillit në Qarkun e Korçës, ka ardhur reagimi i menjëheshëm nga Partia Demokratike.
Zëvendëskryetari i PD, Edmond Spaho, tha në një deklaratë për media se PD do të vijojë betejën, derisa të bëhet drejtësi e plotë për 25 prillit.
Sipas Spahos, “Dosja e qarkut të Korçës është e mbushur me provat tona që faktojnë vjedhjen e zgjedhjeve, por regjimi Rama-Doshi ka kapur gjithë strukturat shtetërore në vend dhe po e përdor shtetin në shërbim të pushtetit, jo të shqiptarëve”.
Deklaratë e Partisë Demokratike, Zv/Kryetari i PD, Edmond Spaho
“Në Korçë qytetarët panë masakrën zgjedhore shumë kohë përpara ditës së zgjedhjeve. Panë sesi çdo institucion shtetëror u vendos në shërbim të Partisë Socialiste. Njerëzit panë sesi u punësuan qindra njerëz gjatë fushatës, u dhanë qindra leje legalizimi, u shpërndanë tendera për të blerë votat, u blenë votat me para në dorë.
Këto fakte janë kallëzuar të gjitha në SPAK, por asnjë nga provat për blerjen e votës nuk u morën parasysh.
Shërbëtorët e Edi Ramës në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve i mbyllën sytë para të vërtetës për të mbrojtur pushtetin e vjedhur të regjimit Rama-Doshi.
Në shkelje të ligjit, KAS refuzoi të marrë zyrtarisht provat për t’u garantuar shqiptarëve të drejtën për votën e lirë. 3 anëtarët e zgjedhur të Partisë Socialiste në KAS po u mohojnë shqiptarëve të drejtën për transparencë të zgjedhjeve të blera.
KAS refuzoi të bëjë drejtësi për qytetarët e Korçës, Devollit, Pogradecit, Maliqit dhe Ersekës sepse ata duan të mbrojnë dhe të fshehin vjedhjen e zgjedhjeve nga regjimi Rama-Doshi.
Në qarkun e Korçës rezultati i zgjedhjeve u deformua nga punësimet masive elektorale dhe të paligjshme, nga dhënia e paligjshme e lejeve të legalizimit dhe nga akte të tjera kundra ligjit në këmbim të votave për pushtetin e Edi Ramës.
Dosja e qarkut të Korçës është e mbushur me provat tona që faktojnë vjedhjen e zgjedhjeve, por regjimi Rama-Doshi ka kapur gjithë strukturat shtetërore në vend dhe po e përdor shtetin në shërbim të pushtetit, jo të shqiptarëve.
Megjithëse ka hedhur poshtë pa argument çdo kërkesë të Partisë Demokratike për përsëritjen e zgjedhjeve, KAS nuk iu përgjigj asnjëherë disa pyetjeve të thjeshta: Pse refuzoi të marrë informacion në zyrat e Kadastrës për legalizimet elektorale, në zyrat e Bashkive dhe disa agjencive qeveritarë për punësimet e paligjshme elektorale? Pse refuzoi t’u kërkojë agjencive ligjzbatuese informacion për përfshirjen e krimit në blerjen e votës.
Kur e nisëm këtë betejë e dinim që institucione si KAS nuk e duan të vërtetën dhe nuk do të bëjnë drejtësi, por është detyra jonë të paraqesim të gjitha provat kudo, përfshi edhe në Kolegjin Zgjedhor, siç kemi nisur sot betejën tonë. Ne do të vazhdojmë të luftojmë për të vërtetën dhe për shqiptarët!
Regjimi Rama-Doshi mund ta pengojë për pak, por ai nuk është i fuqishëm ta ndalojë transparencën për masakrën zgjedhore.
Transparenca dhe drejtësia për 25 Prillin do të bëhet e plotë, do apo nuk do Rama dhe veglat e tij në KAS apo kudoqoftë!, – ka deklaruar Edmond Spaho.
Diskutime rreth kësaj post