Në një ceremoni të mbajtur në Gjirokastër me rastin e 2 vjetorit të fillimit të operacioneve të përbashkëta me FRONTEX në Shqipëri, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi u shpreh se shumë shpejt Shqipëria do të jetë pjesë e familjes së madhe europiane, ndërsa kishte edhe një lajm në lidhje me pjesëmarrjen e vendit tonë në hetimet e Europol.
“Shqipëria pothuajse është e ulur në Europol gati si një vend anëtar të BE-së. Unë shumë shpejt do të zgjeroj zyrën në zyrat qendrore të Europol-it.
Shqipëria është ftuar të jetë pjesë e hetimeve të përbashkëta të hetimit europian, por është ftuar tashmë të udhëheqë një nga këto grupe kundër trafikut. Sot kemi ardhur për të falënderuar miqtë. Shumë shpejt nuk do të jemi më partner, por një familje”.
Ndërkohë që drejtori i policisë së shtetit Ardi Veliu u shpreh se që prej fillimit të operacionit e deri sot, FRONTEX-i përfshiu në operacione 1308 punonjës policie dhe ka bashkëfinancuar angazhimin në operacion të 578 rojeve kufitare shqiptare për çdo periudhë operacionale.
“Numri i imigrantëve të parregullt të kapur në kuadër të operacionit është rritur rreth 6 herë më shumë, krahasuar me periudhën e mëparshme.
E thënë ndryshe, ndërsa numri i imigrantëve të parregullt të kapur në vendin tonë, gjatë periudhës 2-vjeçare të operacionit është rritur 93%, numri i atyre të kapur në zonën e operacionit është rritur 6 herë.
Bazuar në sukseset e evidentuara, në muajin mars të këtij viti, Operacioni u zgjerua dhe u shtri gjithashtu edhe në kufirin blu, ku edhe në këtë drejtim, arritjet e deritanishme janë të dukshme dhe konkrete”, deklaroi Çuçi.
Diskutime rreth kësaj post