Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali është shprehur në ‘Kjo Javë’ se presidenti Meta ka hequr veten me sjelljen e tij të turpshme.Spiropali theksoi se maxhoranca do të bëjë gjithçka që të shkarkojë Metën si kryetar të shtetit, siç tha ajo, që të mund t’i kthehet Presidenca, qytetarëve.
“Ne nuk jemi armiq, as drejtuesit e PD nuk janë armiqtë tanë. Një opozitë e shëndetshme do ishte gjë e mirë për ta dhe për ne, edhe për Shqipërinë. Ilir Meta është i hequr. Meta ka hequr veten, me sjelljen e tij të turpshme. Ne do të bëjmë gjithçka që Presidenca të kthehet në ligjshmëri.
Meta është konfliktuar jo vetëm me ne, me qeverinë, që nuk i takon, por edhe me votuesit shqiptarë, me partnerët tanë, ka bërë deklarata të rënda. Ka ardhur koha që Meta të mos mbajë më turpin që ka lënë në Presidencë. Ne duam t’ia kthejmë Presidencën qytetarëve të vendit. Jemi të gatshëm që të dëgjojmë propozimet e PD për emrin e presidentit. Meta ka thënë se do të japë dorëheqjen nëse humbet zgjedhjet dhe nuk e ka bërë”, tha Spriopali.
Elisa Spiropali nënvizoi se PS e ka ftuar PD-në, që të bashkëpunojnë për çështje që kanë të bëjnë me integrimin europian të vendit.
“Ne e kemi prioritet absolut integrimin në BE. Bëhet fjalë për gjënë më normale në botë, që çdo shumicë e pakicë në çdo vend e kanë prioritetet. Të mos flasim pa menduar duke folur zi për realitetin në gjuhë të huaj, duke ndryshuar këtë realitet, por duke bërë debat për të mirën e demokracisë. I kemi lënë PD-së një fletë të bardhë përpara dhe iu kemi thënë që shënoni çfarë doni, dhe e bëjmë që të mos kemi pengesa për në BE.
Ne duam që së bashku të dërgojmë Shqipërinë në BE, por Basha nëse do të vazhdojë që të bëjë lojën e vjetër, le ta bëjë. Është fatkeqësi që Basha iu thotë mbështetësve të tij të njëjtat gjëra. Shkuarja në KAS pa prova është akt i paprecedent. Nuk ka asnjë dridhje qerpiku nga ne, sepse ne nuk mbrojmë askënd, që mund të ketë kryer shkelje ligjore. Është njësoj sikur unë dhe ti të shkojmë në gjykatë dhe t’i themi gjykatës që na gjej prova”, u shpreh Spiropali.
Diskutime rreth kësaj post