Kombëtarja me shumë gjasë do të grumbullohet në qershor për të luajtur ndeshje miqësore, por trajneri Edi Reja, edhe pse mësohet se ka nisur një tur inspektimi online të lojtarëve dhe duke kërkuar të rinj të talentuar që i nevojiten në projektin e tij për të rinuar grupin, ende nuk ka dalë me një qëndrim konkret për vazhdimësinë dhe për titullarët që do të mbajë. Problemi i Rejës në këtë moment është se skuadra e tij nuk ka një bosht që do ta ndihmonte të ruante atë një bërthamë të nevojshme për të përballuar eliminatoret. Gjithsesi, dy lojtarë bëjnë diferencë në përfaqësuese.
Ata janë Berat Gjimshiti, i cili ka pasur një rritje shumë cilësore në karrierën e tij, duke shkëlqyer me Atalantën, si dhe portieri Etrit Berisha, që tani ka krijuar përvojë të madhe dhe është një shtyllë e ekipit në prapavijë. Ka dhe lojtarë të tjerë që janë bërthamë e grupit, por nuk kanë pasur prezantim të qëndrueshëm me skuadrat e tyre, për pasojë kanë oscilacione në lojë dhe kjo konstatohet edhe në ndeshjet e ekipit kombëtar. Ndërkohë, një tjetër futbollist po rikthehet në ditët e tij të mira, pas një sezoni thuajse tërësisht të dështuar.
Bëhet fjalë për portierin Thomas Strakosha, i cili është pjesë e Lacios. Gardiani kuqezi ka kaluar dëmtimet dhe problemet shëndetësore dhe tani është gati për të luajtur e madje mbrëmjen e dy ditëve më parë mori 90 minuta të plota dhe bëri një paraqitje të mirë ndaj Sasuolos, duke merituar lëvdatat në shtypin sportiv italian. Edhe pse e ardhmja e tij duket larg Lacios për shkak të qëndrimit të gjatë në stol, ndeshja e fundit e konfirmoi si element që i duhet ekipit lacial me në krye trajnerin Inzagi dhe drejtorin sportiv, shqiptarin Igli Tare.
Siç dihet, Lacio mori një fitore shumë të rëndësishme në mbrëmjen e djeshme teksa në minutën e 95-të, falë një goli të Imobiles mposhti Parmën me rezultatin 1-0. Kështu, bardhekaltrit vazhdojnë të shpresojnë për një vend në Champions League, ndërkohë që pas sfidës në Olimpico, erdhën edhe vlerësimet nga Eurosport. Tomas Strakosha që e kishte nisur titullar këtë takim u tregua vendimtar me një pritje në minutën e 93, ndërsa nga ana tjetër, zhgënjeu Vedat Muriqi. Strakosha, 7- “Është pak i impenjuar gjatë ndeshjes, por pritja në minutën e 93-të. Hedhja pas gjuajtjes së Hernanit duke e dërguar topin në shtyllë vlen të paktën një notë më shumë”, ishte përshkrimi i “Eurosport”-it për ndeshjen e Strakoshës.
Nuk mbeti jashtë vlerësimit as shqiptari tjetër i Lacios, sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi, i cili nga media në fjalë ka marrë notë të ulët, vetëm 5. “Ndeshje e vështirë për t’u vlerësuar. Vrapon dhe lufton në çdo top me një dinakëri të madhe, por pastaj gabon sa herë thirret në detyrë. Nga ai pritet që të shtyjë topin në rrjetë, por nuk ia del dhe bën gjithçka për të gabuar”, ishte përshkrimi i “Eurosport” për ndeshjen e Muriqit.
Një tjetër lojtar i Kombëtares po bën gjëra të mira në ditët e fundit. Pas shumë kritikave për një sezon të dështuar, duket se ka reflektuar sulmuesi Armando Sadiku, i cili duket se ka lënë pas periudhën negative me Bolivar dhe tashmë po ambientohet me lëvizjet e shokëve në fushën e lojës. Pas dy golave në fundjavë, ditën e sotme, sulmuesi shqiptar ka qenë protagonist në barazimin 2-2 ndaj Uilstermab për Kupën Sudamerikana.
Të dy golat e Bolivar erdhën nga penalltia dhe të dyja penalltitë u fituan nga Armando Sadiku. Në këtë formë, edhe pse nuk shënoi vetë, sërish elbasanasi gjeti mënyrën për të kontribuar. Në javët në vazhdim, pritet akoma më shumë nga Sadiku duke qenë se lojtari është marrë për të ngritur nivelin e skuadrës dhe për të tentuar suksesin në kampionat.
Diskutime rreth kësaj post