Në Shqipëri, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përsëriti sot me vendosmëri se opozita nuk do të njohë kurrë rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit, sepse ato ishin një masakër elektorale nga ana e socialistëve. Zoti Basha tha se socialistët vodhën, blenë dhe manipuluan vullnetin politik të qytetarëve shqiptarë, duke sjellë një degjenerim të thellë të institucioneve demokratike dhe jetës politike.
KQZ vazhdon të shqyrtojë ankesat e partive të opozitës për manipulim të zgjedhjeve, ndërsa socialistët po shfaqen në takime pune, duke thënë se për ta fitorja e mandatit të tretë është temë e mbyllur. Edhe nga Fieri, ashtu si nga Durrësi e qytete të tjera, ku po zhvillon një tur tubimesh me përkrahës të opozitës, kryetari i Partisë Demiokratike, Lulzim Basha, deklaroi se socialistët i vodhën dhe i blenë këto zgjedhje dhe se rezultatet e tyre nuk do të njihen kurrë.
Ai tha se socialistët dhe social-demokratët të lidhur me bandat kriminale kërcënuan dhe frikësuan votuesit, shfrytëzuan burimet shtetërore, blenë vota për qeverinë dhe shtrembëruan vullnetin e qytetarëve, që nuk votuan të lirë.
“Masakra elektorale e 25 prillit nuk do të njihet. Rezultati i tjetërsimit të vullnetit të shqiptarëve, nuk do të pranohet. Për këtë nuk ka pikë diskutimi. Beteja do të vazhdojë, jo për karrigen time, jo për poste drejtorësh apo për tendera, apo për të hapur dyert e doganave për kontrabandë apo për të bërë aleancë me krimin. Beteja jonë do të vazhdojë për shqiptarët, për prindërit që duan t’i rrisin e t’i mbajnë fëmijët këtu. Beteja jonë do të vazhdojë në të gjitha format, në të gjitha mënyrat, në çdo fushë beteje. Fundi i kësaj beteje do të jetë përmbysja e regjimit Rama-Doshi” – tha zoti Basha.
Në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit, sipas rezultateve nga KQZ-ja, në parlamentin me 140 vende Partia Socialiste fitoi 74 mandate, Parti Demokratike fitoi 59 mandate, aleatja tjetër e saj, Lëvizja Socialiste për Integrim mori 4 mandate, ndërsa Partia Social-Demokrate fitoi 3 mandate dhe u shpreh e gatshme të bashkëpunojë me socialistët. Parlamenti i ri mblidhet në shtator. Partia Socialiste ndërkohë ka nisur të mbajë fjalime dhe të shpalosë projekte investimedh gjatë mandatit të tretë.
Përfaqësues të saj i kanë hedhur poshtë akuzat për blerje votimesh, duke pohuar se e majta fitoi një mandat të tretë për të qeverisur vendin, pasi tregoi aftësi në menaxhimin e dy krizave të rënda ekonomike të pandemisë dhe të tërmetit, duke fituar besimin e qytetarve për të vazhduar punën. Madje Partia Socialiste e ka ftuar Partinë Demokratike që të bashkëpunojnë për reforma me rëndësi për të ardhmen e vendit.
“Ne jemi këtu për të vënë një theks shumë të fortë tek domosdoshmëria e kalimit në një fazë tjetër të përpjekjes së përbashkët për të vendosur kontroll absolut mbi territorin në aspektin e mbrojtjes së tij nga ndërhyrjet dhe aktivitetet e paligjshme” – tha sot kryeministri Edi Rama në një mbledhje me drejtues të lartë të policisë.
Në KQZ vazhdojnë të shqyrtohen kërkesat e opozitës. Në KQZ është kërkuar përsëritja e zgjedhjeve në 9 nga 12 qarqe të Shqipërisë, ndërsa në gjithë prokuroritë e vendit janë 180 padi për këto krime para dhe pas ditës së zgjedhjeve. Bashkësia ndërkombëtare, SHBA dhe BE, u bënë thirrje forcave politike dhe udhëheqësve të tyre që të pranojnë vendimin e votuesve, duke shpresuar në respektimin dhe certifikimin e rezultateve dhe funksionimiin efektiv të institucioneve demokratike të vendit, që dalin nga këto zgjedhje.
Përfaqësues diplomattikë nga Uashingtoni dhe Brukseli theksuan se mbështesin raportin paraprak të OSBE/ODIHR-it, sipas të cilit, zgjedhjet ishin të mirorganizuara nga administrata zgjedhore, fushata ishte gjithëpërfshirëse dhe dita e zgjedhjeve ishte e qetë. Vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve theksuan se partia në pushtet përdori burimet qeveritare në fushatë, ndërsa nëpunësit e administratës, sipas tyre, patën presione dhe stimuj për të mbajtur anën e qeverisë.
OSBE/ODIHR po përgatit një raport të plotë mbi zgjedhjet, ndërsa në raportin paraprak theksoi se procesi zgjedhor rezultoi të ishte i suksesshëm në përgjithësi, ndonëse vëzhguesit morën shumë pretendime për shitblerje votash, të cilat po hetohen. Ata dënuan tensionimet dhe vrasjen e një personi në Elbasan dhe plagosjen e disa të tjerëve disa ditë para votimit.
Diskutime rreth kësaj post