Edhe pse Partia Demokratike ka dorëzuar në SPAK dosje voluminoze me padi për shitblerje votash dhe në KQZ dosje të tjera ku kërkon pavlefshmërinë e rezultatit në 9 qarqe, me përjashtim të Lezhës, Dibrës dhe Kukësit PD thotë se nuk ka besim as të SPAK dhe as te Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve i KQZ-së për një vendim, sipas saj, të drejtë.
“Ne i kemi dorëzuar dosjet në SPAK, prokurorinë e Durrësit dhe në Komisinin Qendror të Zgjedhjeve dhe Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve. Janë prova të vërtetuara. Unë nuk kam asnjë besim që procedura që kemi nisur do na sjellë gjë. Ne kemi vendosur që do i shkojmë deri në fund, por nuk kam asnjë besim se do na japin të drejtë sepse si SPAK-u, si KQZ-ja, si KAS-i, si Kolegji Zgjedhor kanë pasur disa prova para zgjedhjeve dhe kanë marrë vendime në favor të PS-së”, deklaroi në një intervistë televizive, nënkryetari i PD, Edi Paloka.
Paloka, që udhëhoqi fushatën në Qarkun e Durrësit thotë se të gjitha sondazhet dhe exit poll-et nxirrnin Partinë Demokratike fituese në këtë qark, por në përfundim të numërimit, PS mori 8 mandate dhe PD 6.
“Në gjitha sondazhet dhe Exit-pollet e nxirrnin PD-në fituese në Durrës. Deri kur Rama tha prisni, prisni sa të nisë numërimi. Si duket Rama ka ditur më shumë. Unë kam 30 vjet në politikë, e dalloj kur një person ta thotë diçka për të bërë qejfin, kur e thotë sepse kërkon garanci se e sheh që po ndërron pushteti dhe kur e thotë nga mllefi që ka”, tha Paloka.
Sipas nënkryetarit të PD-së, opozita nuk arriti që t’i konceptojë përmasat e manipulimit.
Diskutime rreth kësaj post