Sekretari Organizativ i PS, Arben Pëllumbi komentoi sot ftesën e kryeministrit Rama drejtuar PD-së, për të gjetur konsensusin për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Ftesë për dialog, apo diversion?
“Në fakt nuk ka të bëjë me këtë gjë, sepse ka qenë një vizion i hershëm i kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste para datës së zgjedhjeve që pas 25 prillit mënyra e konceptimit për të drejtuar vendin do të ishte krejt ndryshe. Ne propozojmë për këtë mandat për të pasur një gjuhë bashkëpunimi, konstruktive me opozitën në të mirë të vendit”, tha Pëllumbi për MCN.
Ndërsa i pyetur se kryeministri e bëri fakt të kryer largimin e Metës, por çfarë ndodh nëse Kushtetuesja nuk u jep të drejtë dhe se kjo do të ishte një tjetër betejë e humbur me Ilir Metën, Pëllumbi deklaroi se Presidentin nuk do e largojë PS, por parlamenti që më pas do i drejtohet gjykatës kushtetuese.
“Një njeri kur zgjidhet ka një pozicion të caktuar. Kur e zgjodhëm Ilir Metën në atë kohë nuk i kishim 71 mandate dhe asokohe kishim nevojë për votat e LSI. Sot po flasim kur në atë pozicion Ilir Meta ka bërë shkelje të mëdha të Kushtetutës dhe për këtë ne do të mbajmë qëndrim. Do të bëhet e gjithë procedura parlamentare ku komisioni hetimor do të shohë nëse veprimet e Metës janë në shkelje dhe më pas parlamenti bën detyrën e vet ku ky material shkon në gjykatën kushtetuese e cila më pas do e shqyrtojë”, u shpreh ai.
Diskutime rreth kësaj post