Sekretari Organizativ i PS, Arben Pëllumbi komentoi sot ftesën e kryeministrit Rama drejtuar PD-së, për të gjetur konsensusin për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
“Në fakt nuk ka të bëjë me këtë gjë, sepse ka qenë një vizion i hershëm i kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste para datës së zgjedhjeve që pas 25 prillit mënyra e konceptimit për të drejtuar vendin do të ishte krejt ndryshe. Ne propozojmë për këtë mandat për të pasur një gjuhë bashkëpunimi, konstruktive me opozitën në të mirë të vendit”, – tha Pëllumbi për MCN.
Ndërsa i pyetur se kryeministri e bëri fakt të kryer largimin e Metës, por çfarë ndodh nëse Kushtetuesja nuk u jep të drejtë dhe se kjo do të ishte një tjetër betejë e humbur me Ilir Metën, Pëllumbi deklaroi se Presidentin nuk do e largojë PS, por parlamenti që më pas do i drejtohet gjykatës kushtetuese.
“Një njeri kur zgjidhet ka një pozicion të caktuar. Kur e zgjodhëm Ilir Metën në atë kohë nuk i kishim 71 mandate dhe asokohe kishim nevojë për votat e LSI. Sot po flasim kur në atë pozicion Ilir Meta ka bërë shkelje të mëdha të Kushtetutës dhe për këtë ne do të mbajmë qëndrim. Do të bëhet e gjithë procedura parlamentare ku komisioni hetimor do të shohë nëse veprimet e Metës janë në shkelje dhe më pas parlamenti bën detyrën e vet ku ky material shkon në gjykatën kushtetuese e cila më pas do e shqyrtojë”, – u shpreh ai.
Diskutime rreth kësaj post