Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu komentoi deklaratën e presidentit serb dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, të cilët u bënë thirrje shqiptarëve të votojnë për kryeministrin Rama më 25 prill. Në emisionin “Rinvote”, Mediu thotë se këto deklarata nuk janë të rastësishme, por që synojnë defaktorizimin e shqiptarëve në Ballkan.
“Unë nuk mendoj se këto janë deklarata të rastësishme, sepse nuk është vetëm Vuçiç por është edhe Zaev është një rrjet që është ndërtuar për të defaktorizuar shqiptarët në rajon. Shqiptarët në fillim të shekullit kanë pasur disa arritje që kanë qenë të paimagjinueshme. Pavarësia e Kosovës, anëtarësim i Shqipërisë në NATO, liberalizmi i vizave, Marrëveshja e Ohrit, shqiptarët në Mal të Zi afër BE”, tha ai.
Ai hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama duke thënë që kur ardhur në pushtet ka ndryshuar orientimin politik të Shqiptarëve.
“Që kur ka ardhur Rama në pushtet ka ndryshuar orientimin politik të shqiptarëve duke u lidhur drejtpërdrejt me Beogradin në dëm të interesit të Kosovës dhe është përçarë faktorin shqiptar si asnjëherë tjetër. Por që të vijë koha, që kërkesën shqiptarëve për të mbajtur Ramën në pushtet ta kërkojë Vuçiç dhe Zaev, ky është kulmi në historinë tonë 30-vjeçare, ndoshta dhe që nga fillimi i shtetit shqiptar. Veprimet tona duhet të jenë të matura. Unë i shikoj shqiptarët e bashkuar në Evropën e bashkuar. Vuçiç dhe Zaev nuk e duan këtë përparim të Shqipërisë” tha ai.
Diskutime rreth kësaj post