Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se dita e 25 prillit është dita e çlirimit për të gjithë shqiptarët. Ai u bëri thirrje punonjësve të administratës dhe forcave të rendit të votojnë për ndryshimin.Në mbyllje të fushatës në sheshin “Nënë Tereza”, Basha u bëri thirrje edhe qindra e mijëra socialistëve të zhgënjyer të votojnë për numrin 9.
Thirrja e Bashës:
“Në këtë shesh ushtojnë zërat e demokratëve, flamurtarëve të ndryshimit. Nga ky shesh, nga shtëpitë e tyre dua t’u them mirësevini në bashkimin më të madh të shqiptarëve pa dallime politike sepse dita e diel është dita e çlirimit për të gjithë ju! Për qindra mijëra rrogëtarë, gjunjë-këputur nga ky shtet që i trajton si skllevër për të pasuruar dhe mbushur xhepat e kryeministrit dhe një grupi qeveritarësh. Jemi bashkë më 25 prill. Vota jonë është për numrin 9.
Bëhuni pjesë e bashkimit, mësues, mjekë, punonjës të ndershëm të policisë së shtetit që më keni thënë me fjalë se na ka ardhur në majë të hundës. Të dielën shkoni te kutia e votimit dhe ndëshkoni me votë të keqen. Ky është rrezatimi i njerëzve që rikthejnë besimin tek vetja, tek familja, tek Shqipëria, tek ndryshimi.
Ndryshimi do të vijë për gjithsecilin prej jush. Nuk ka gjë më të shtrenjtë në botë se të votosh për veten dhe të afërmit e tu.Qindra mijëra socialistë të zhgënjyer bashkohuni me shpresën. Kjo është Shqipëria e të gjithëve ne. Ejani dhe bashkohuni dhe votoni numrin 9.
Qeveria e dalë pas 25 prillit do të jetë qeveria e të gjithë shqiptarëve dhe se unë do të jem kryeministri i të gjithë shqiptarëve. E di barrën e rëndë të përgjegjësive pas datës 25. I kemi parë rrënimet dhe rrënojat. Ky më 8 vitet e tij ka hipur mbi shpinën e shqiptarëve. Dita e fitores së thellë do të bëjë të mund atë që dimë të bëjmë kur jemi bashkë, zhvillim dhe përparim dhe hapjen e derës drejt misionit Shqipërisë anëtare në Bashkimin Evropian.”-tha Basha.
Diskutime rreth kësaj post